Ivanka Trump në Vlorë? Gazetari Sika zbardh të vërtetën pas lajmit që ‘pushtoi’ rrjetin
Në një lidhje direkte për Ora News ishte gazetari nga Vlora, Ermal Sika, i cili sqaroi lajmin që qarkulloi me shpejtësi për praninë e Ivanka Trump në qytetin bregdetar.
Sipas tij, bëhet fjalë për një keqinformim që u përhap fillimisht në rrjetet sociale dhe më pas u amplifikua edhe nga media të ndryshme.
Në të njëjtën kohë kur pretendohej se ndodhej në Vlorë, Ivanka Trump ishte në SHBA, në Miami, së bashku me Donald Trump, ku po ndiqnin një aktivitet sportiv.
“Në orët e para të mëngjesit me orën shqiptare, Ivanka Trump ka qenë në Miami, në një aktivitet sportiv me babanë e saj. Edhe sikur të nisej menjëherë, do t’i duheshin rreth 12 orë për të mbërritur në Vlorë.”-tha ai.
Ndërkohë, lëvizjet e pazakonta në qytet kishin një tjetër shpjegim.
Në Vlorë ndodhej një grup arkitektësh amerikanë që po vëzhgonin zona të ndryshme, kryesisht Zvërnecin, në kuadër të një projekti të mundshëm investimi nga familja Trump.
Prania e shtuar e policisë dhe masat e sigurisë lidhen edhe me vizitën e kryeministrit Edi Rama në zonën e Dhërmiut, çka ka shtuar edhe më shumë dyshimet dhe konfuzionin.
“Në qytet kishte masa sigurie dhe lëvizje për shkak të vizitës së kryeministrit dhe pranisë së një grupi arkitektësh amerikanë. Kjo, bashkë me fotot që qarkulluan në rrjet, krijoi idenë se ishte Ivanka Trump.”-shtoi Sika.
Përhapjen e lajmit e ndikuan edhe disa pamje që qarkulluan online, ku një vajzë bjonde me tipare të ngjashme me Ivanka Trump u filmua në një hotel dhe më pas në Zvërnec. Kjo shtoi më tej konfuzionin dhe bëri që lajmi të merrej si i mirëqenë nga shumë përdorues.
Në fund, rezulton se bëhej fjalë për një lajm të rremë, ndërsa interesi për investime në zonën e Vlorës mbetet real dhe po ndiqet nga ekspertë ndërkombëtarë.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:


