Itali: Sekuestrohen mbi 20 mijë etiketa false "Adidas" "Nike", hynë nga Shqipëria në Bari
Sekuestrohen në portin e Barit mbi 20 mijë etikata të falsifikuara të markave Adidas e Nike, importuar nga Shqipëria.
Guardia di Finanza e Portit të Barit gjatë një kontrolli në një kamion të ardhur nga Shqipëria, kanë gjetur dy arka të mëdha me mbi 20 mijë etiketa të falsifikuara të markave të njohura Adidas e Nike e të gatshme për t'u aplikuar në mbi 20 mijë veshje të transportuara bashkë me to.
Ekspertiza e materialeve të gjetura e dokumentacioni i kompanive që i referoheshin, konfirmuan natyrën e falsifikuar të markave tregtare, me shenjat e tyre dalluese e të mbrojtura nga të drejtat e pronësisë intelektuale e të tregtuara me etiketa, raporton Ora News.
Të gjitha etiketat e transportuara nga Shqipëria u sekuestruan nën akuzën e krimit të futjes në territorin italian e të tregtimit të mallrave të falsifikuara e drejtuesi i automjetit që i transportonte, është denoncuar tek autoritetet gjyqësore.

"Riprodhimi i paligjshëm i mallrave të regjistruara përbën një krim e konkretizon në fakt një praktikë të shpeshtë të konkurrencës së padrejtë e në dëm të kompanive që vazhdojnë të operojnë ligjërisht", informoi sot Guardia di Finanza Italiane, raporton Ora News

