Itali/ Arratisen tre shqiptarë nga burgu i Trevisos, dy kapen. Edison Pula, i tretë ende në kërkim
Policia italiane ka nisur një operacion të gjerë kërkimi për shqiptarin Edison Pula, 27 vjeç, me precedent penalë në Shqipëri dhe disa vende të Europës i cili u arratis nga burgi i Trevizos rreth orës 5 të mëngjesit të datës 9 qershor.
I dënuari me 16 vjet burg, me urdhër arresti europian për një seri krimesh të rënda, ka prerë hekurat e dritareve të qelisë duke tentuar arratisjen bashkë me dy persona të tjerë.
Ata kanë zbritur më pas me çarçafë në oborrin e burgut dhe kanë tentuar largimin, por policia ka arritur ti ndalojë dy nga shokët e Pulës, ndërsa vetë 27-vjecari ka arrritur të largohet duke humbur gjurmët pavarësisht ndjekjes nga forcat e rendit.
Një zyrtar i policisë italiane ka thënë se sektorit të kufirit i është dërguar fotografia dhe informacionet për 27-vjeçarin me qëllim ndalimin e daljes së tij nga Italia.
Kush është Edison Pula, i arratisuri që nuk u kap dot?
Edison Pula ra në pranga në Itali në shkurt të vitit të kaluar me akuzën e të paktën 50 grabitjeve në vilat e disa qyteteve, përfshirë edhe banesën e një biznesmeni nafte. Në vitin 2016 ai u arratis nga komisariati i Krujës duke kapërcyer murin rrethues pasi ishte arrestuar si anëtar i bandës së Niklës me aktivitet kriminal në fushën e krimeve kundër personit, pronës dhe prodhimit e shitjes së trafikimit të lëndëve narkotike.
Pasi rifitoi lirinë në Shqipëri 27-vjeçari duket se ka mbërritur në Itali ku ka kryer një seri grabitjesh ndërkohë akuzat e tjera të ngritura ndaj tij janë edhe tentativë vrasjeje, mbajtje eksplozivi dhe vepra të tjera të trafikut të drogës, të kryera jashtë Italisë.
Javën e ardhshme sipas mediave Edison Pula do të paraqitej në gjykatën e Bolzanos në një gjyq ku akuzohej për rreth pesëdhjetë vjedhje. Ndërkohë arratisja e 27-vjeçarit ka vënë në alarm sistemin e burgjeve në Itali pasi në qelinë e lënë bosh prej tij u gjet sharra e përdorur për prerjen e hekurave.
Hetuesit po marrin në pyetje dy shokët e shqiptarit për të mësuar se si ka hyrë sharra brenda burgut. Ndërkohë policia dyshon se ngjarja është planifikuar dhe se i dënuari ka një rrjet personash që e kanë pritur jashtë për ta ndihmuar me qëllim që t'i shpëtojë policisë.
