Banorët e Krujës u helmuan nga uji me fekale, depoja pa roje, drejtori i Ujësjellësit e mohon

Instituti i Shëndetit Publik ka dalë në përfundimin se uji që kanë konsumuar qytetarët e Krujës që kanë shfaqur shenja helmimi, ka ngarkesa escherichia coli dhe streptokoku fekal të cilat janë infiltruar në burim.

Një muaj para zgjedhjeve të 25 prillit kryeministri Rama konsumoi ujë nga kjo depozitë për tu treguar qytetarëve se furnizimi është i garantuar për tu konsumuar.

Por 7 muaj pas inagurimit të Ujësjellësit, uji nga burimi ku piu Kryeministri para kamerave ka çuar në spital të paktën 500 banorë të zonës.

Qytetarët me simptoma helmimi ju drejtuan spitalit të Krujës për të marrë ndihmë mjekësore.

Edhe pse janë zhvilluar tendera për ruajtjen me roje nuk ka të tillë.

Por një fakt i tillë është hedhur poshtë nga Drejtori i Ujësjellësit.

"Rojet e sigurisë janë. Kemi roje të Ujësjellësit atje, roje private. Nëqoftëse nuk kishte do të marrim masa por normalisht ka roje aty".

Gazetarja: Roje nuk ka.

Mesditën e së mërkurës (27 tetor) ISHP ka publikuar përgjigjet e analizave të ditës së hënë ku ka konstatuar se përzierja e fekaleve dhe e mbetjeve të kafshëve me ujin e pijshëm bashkë me plehrat kanë sjellë helmimin e qytetarëve në Krujë.

Helmimi masiv është bërë shkak për ndërprerjen e furnizimit me ujë prej të hënës, duke detyruar qytetarët që ta blejnë produktin për konsum.

"Do të blejmë çfarë të bëjmë."

"Ka sjellë dje me bot bashkia."

Bashkia thotë se situata mund të zgjidhjet të enjten por furnizimi me ujë do të bëhet për përdorimin shtëpiak dhe jo për konsumim, ndërkohë që botet po furnizojnë njerëzit në nevojë dhe të pamundurit.

"Mund të nisë furnizimi por do të jetë vetëm për konsum shtëpiak dhe jo për tu pirë deri në një njoftim tjetër që do tu bëjmë banorëve. Dje sollëm 4 bote që bënë shpërndarjen e ujit, sigurisht jo në nivele të mjaftueshme për të furnizuar shtëpinë por të paktën për konsum".

Prokuroria e Krujës ka njoftuar se ka nisur një hetim kryesisht për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës” me pasojë dëmtimin e shëndetit të qytetarëve.

EMISIONET