Investitorët e huaj kërkojnë siguri, Rama takim me biznesin holandez: Ne kujdesemi mirë për ju
Përfaqësuesit e bizneseve holandeze kërkojnë garanci nga qeveria shqiptare për siguri dhe stabilitet politik si e vetmja mënyrë për të investuar në vendin tonë. Gjatë takimit me bizneset kryeministri Rama u mundua ta thjeshtojë situatën në vend duke përdorur kanunin, që pavarësisht zhvillimeve të brendshme Shqipëria i trajton mirë investitorët e huaj.
Kryeministri Edi Rama ka takuar nga afër përfaqësuesit e bizneseve në Holandë për t’i bindur ata se Shqipëria është një vend i sigurt për të investuar.
Madje shefi i qeverisë shqiptare ka ndarë me to edhe rezultatin e një kompanie holandeze për kërkimin e naftës dhe gazit në vendin tonë, që sipas Ramës do të ndikojë pozitivisht për vendin tonë.
Rama: Kemi shpresë që të ndajmë shumë shpejt me opinionin publik një zbulim të rëndësishëm që po realizon SHELL, për zbulim gazi dhe nafte që do të ndikojë në edhe në të ardhmen energjitike të Evropës.
Bizneset holandeze në komunikimin me përfaqësuesit e qeverisë shqiptare nuk e fshehin pasigurinë e të investuarit në vendin tonë.
Por për këtë Rama mendon se është thjesht perceptim dhe jo fakt.
Rama: Të gjithë bien në këtë grackë nga dëgjimi i lajmeve. Nuk dua të them se nuk ka korrupsion dhe burokraci, por vërtetë që gjërat kanë ndryshuar në një situatë ku të gjitha shërbimet janë online.
Për investitorët e huaj shqetësuese është edhe klima e polarizuar politike.
Ndërsa Rama duke përdorur kanunin pranoi inferioritetin e shqiptarëve përballë të huajve, sidomos atyre perëndimorë.
Rama: Shqipëria ka një element specifik, është shumë mikpritëse ndaj të huajve. Kemi ndonjëherë protesta në sheshin përballë kryeministrit sepse jemi një vend ku të gjithë janë kryeministra më vete dhe kryeministri i vërtetë nuk çon kurrkund.
Në këtë takim u fol edhe për problemet me pronat si dhe lehtësirat fiskale për bizneset.

