Institucionet pa lekë, Gjykata Kushtetuese kërkon fonde dhe për parkim

Mbrojtja nga sulmet kibernetike, një sistem zjarrfikës dhe vende parkimi ishin disa nga kërkesa e paraqitura nga Gjykata Kushtetuese gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve. Për opozitën këto kërkesa që vijnë nga institucioni më i lartë që mbron Kushtetutën e vendit ngjajnë surreale dhe se duhet të ishin plotësuar me kohë nga qeveria.

Gjykata Kushtetuese nuk ka para për mbrotjen kibernetike dhe as ndaj zjarreve dhe për këtë arsye ajo kërkoi rishikimin e buxhetit për vitin e ardhshëm.

Trajtimi financiar i parashikuar nga qeveria për vitin e ardhshëm ku institucioni i Gjykatës Kushtetuese për Eugen Papandiles deklaron se nuk ka para as për parkimin e automjeteve të zyrtarëve të saj, për opozitën është në kufijtë e një skandali.

Papandile: Shpresoj që të arrij t'ju bind për tre projekte të cilat edhe i kam paraqitur së fundmi pranë Komisionit të Ligjeve. Kërkesa e parë që kemi paraqitur është një projekt ose një shtesë që kërkojmë nga ju për mbrojtjen kibernetike. Kemi kërkuar një shtesë për një qira që është një çikë banale por është qiraja për të vendosur makinat e isntitucionit. Një tjetër kërkesë prapë reale, si pasojë e amortizimit të godinës, është sistemi i mbrjojtjes anti-zjarr që e kemi kërkuar prej kohësh.

Deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, i konsideroi këto kërkesa surreal dhe të pabesueshme për një institucion si Gjykata Kushtetuese.

Alibeaj: Situata që krijohet në Komisionin e Ligjeve me institucionet e pavarura dhe sidomos me Gjykatën Kushtetuese është surreale. Jemi në një situatë ku vjen Gjykata Kushtetuese, pothuajse organi më i lartë i kësaj Republike, dhe lyp para. Ne futemi në një teatër absurd dhe i japim lëmoshë për qiranë e makinave, ndonjë meremetim te godina apo ndonjë kërkesë e cila nuk i bën nder institucionit, funksionit, misionit. Kjo është një shkelje e cila ndodh sistematikisht në këtë parlament. Institucionet e pavarura, kurrësesi për shkak të misionit që kanë, nuk duhet të shkojnë dhe të trokasin dhe të lypin lekë te qeveria.

Rikujtojmë se disa këto kërkesa të Gjykatës Kushtetuese kanë nisur që prej vitit 2019, në kohën kur ra tërmeti i nëntorit, të cilat nuk janë plotësuar nga qeveria prej 3 vitesh.

EMISIONET