Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë arkivon çështjen e Dan Hutrës: Nuk gjetëm shkelje të magjistratëve
Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë nuk ka gjetur shkelje në procedurat e ndjekura për lirimin e Dan Hutrës dy javë para se të kryente vrasjen e trefishtë në Tiranë.
Në sqarimin e bërë, ILD shprehet se pas publikimit të lajmeve se ai paraqiste rrezikshmëri të lartë, për shkak se më herët ishte i dënuar për vrasjen e bashkëshortes, e më tej për dhunë edhe në martesën e dytë nisi verifikimin e dosjes.
Nga verifikimet rezulton se Hutra, i cili në 1 mars vrau në Paskuqan Mevlute Hysën dhe Hasime Dafkun ndërsa pas 20 minutash edhe Etleva Kurtin, kishte kryer dënimin dhe se gjykimi ndaj tij sa i përket procedurave ishte korrekt.
Më konkretisht në vitin 2022 ndaj tij ishte paraqitur denoncimi për dhunë në familje.
Në dosje rezulton, sipas njoftimit të ILD, se ai kishte pranuar gjykimin e shkurtuar duke hequr dorë nga debati për provat, kërkesat për pavlefshmëri, duke pranuar që të gjykohet mbi bazën e të dhënave të marra në fazën e hetimeve paraprake, duke përfituar për rrjedhojë ulje në masën e një të tretës së dënimit.
Dokumentet po ashtu rezultojnë edhe në dosjen e prokurorit.
Por pikëpyetjet e ngritura janë edhe mbi faktin se Hutra ishte i dënuar për vrasjen e bashkëshortes, ndaj pranimi i gjykimit të shkurtuar në media u konsiderua i papranueshëm.
Por edhe këtu ILD shton se gjykatësi ka zbatuar ligjin, ndaj në këto kushte Inspektorati nuk ka marrë asnjë masë.