INERTET JO NË LANDFILLE/ Kompanitë do lejohen të krijojnë vend depozitime për 3 vite
Kompanitë e ndërtimit nuk do të kenë më detyrim që mbetjet nga gërmimet apo shembjet e objekteve t’i depozitojnë në landfille.
Në konsultim publik është paraqitur një ndryshim në ligj, duke lejuar krijimin e venddepozitimeve të përkohshme, të cilat nuk duhet të funksionojnë për më shumë se tre vite.
Qëllimi është riciklimi ose ripërdorimi i këtyre mbetjeve.
Kusht për këtë është që ato të jenë të diferencuara dhe të mos përzihen me mbetje të tjera urbane të bashkive apo bizneseve të tjera.
Këto hapësira duhet të jenë të paktën 300 metra larg nga një pus furnizues me ujë dhe çdo burim tjetër ujor, 100 metra nga një përrua, argjinaturë lumore, liqen, lumë ose kompleks ligatinor dhe 300 metra nga një zonë e mbrojtur.
Për të marrë miratimin për një venddepozitim të tillë, aplikimi do të bëhet në Agjencinë e Zhvillimit dhe vetëm online.
Mbetjet nga ndërtimi apo shembja e objekteve janë kthyer në debat edhe në komisionin hetimor për incineratorët.
Opozita ka akuzuar se kompanitë janë detyruar të paguajnë tarifa të larta, edhe pse kjo nuk ka qenë pjesë e kontratës.
Sipas tyre, shpesh subjektet nuk kanë pasur mundësi t’i depozitojnë inertet në vende ku mund të ripërdoren.
Paralelisht me këtë, në konsultim publik është paraqitur edhe ligji i ri për landfillet, ku parashikohet ndalimi i depozitimit të mbetjeve urbane që mund të riciklohen.


