Incineratori i Tiranës/ Caka: Do dorëzojmë padi për zyrtarë të tjerë. Guri: Milionshin e euros e kanë si qindarkë
Incineratori i Tiranës i ka kushtuar deri tani buxhetit të shtetit rreth 4.5 miliard lekë ose rreth 37 milionë euro, të paguara nga bashkia e Tiranës e drejtuar nga Erion Veliaj dhe qeveria shqiptare. Pavarësisht kostove tepër të lartë, dhe denoncimeve të panumërta nga media dhe opozita incineratori i kryeqytetit duket se ka mbetur jashtë vëmendjes së hetimit të SPAK.
Ambientalisti Sazan Guri dhe ish-deputetja e LSI, Silva Caka ishin të ftuar në studion e Ora News me gazetaren Sonila Musai.
Lidhur me çështjen e incineratorëve, Caka u shpreh se sa herë lexohet dosja dalin personazhe të rinj dhe skema të ndryshme. Sipas saj, është një masakër ajo që i bëhet parave të shqiptarëve.
Caka: Ne kemi thënë që shkon diku te 400 milionë euro, por praktikisht rezulton që të jetë akoma dhe më shumë. Nëse përfshijmë dhe dëmin e munguar që do të vinte nga prodhimi i energjisë siç është parashikuar ka akoma dhe më shumë problematika.
Caka tha se pret nga SPAK që të vijojë hetimi sepse ka një problematikë të madhe ku implikohen zyrtarë të ndryshëm. Më tej, ajo shtoi se "mund të ketë edhe shtim padie nga ana e LSI-së për individë dhe zyrtarë të tjerë të cilët në pamje të parë duken se nuk kanë lidhje, por nëse SPAK i sheh gjërat me lupën e drejtësisë do shohë çudira në të treja dosjet. "
Caka: Ajo që na ka shqetësuar është pozicioni i kryetarit të bashkisë dhe ish-sekretarit të përgjithshëm të ministrisë së Mjedisit që sot është deputet, Alqi Bllako. Pse nuk po zgjatet hetimi i SPAK mbi këta zyrtarë? Sepse kanë një imunitet qoftë ligjor, qoftë partiak.
Caka tha se Erion Veliaj ka shpërdoruar detyrën dhe ka shkelur ligjin sepse është përgjigjur për të gjitha bashkitë e qarkut të Tiranës, ndërkohë që ka për detyrë të përgjigjet vetëm për bashkinë Tiranë.
Caka: Kur është hedhur propozimi i pa kërkuar nga kompania, se kështu ka ndodhur, skemat e të tre incineratorëve në këtë mënyrë vijnë, me propozime të pa kërkuara, pra nuk janë tendera publikë që shpallen nga ministria. Kur ky propozim është hedhur në Këshill të Ministrave për mendim, nuk kanë qenë të pakta ministritë që kanë refuzuar. Një nga arsyet pse ministria e Financave refuzonte të jepte OK për këtë çështje është sepse prekte buxhetin e shtetit. Deputeti i PS, Alqi Bllako ka thënë ne nuk e japim OK për aq kohë sa preket në masë buxheti i shtetit, por nëse ky projekt do t'i shërbejë qarkut të Tiranës, ju keni OK e ministrisë ë Financave. Kosto do t'i liheshin 5 bashkive të qarkut të Tiranës. Pikëpyetja jonë e madhe është që sekretari i përgjithshëm e ka anashkaluar urdhëresën e ministrisë së Financave dhe nuk i është drejtuar 5 bashkive të qarkut, ekziston një shkresë ku i është drejtuar vetëm bashkisë së Tiranës. Erion Veliaj ka marrë përsipër që të japë një përgjigje jo vetëm për bashkinë e Tiranës, por të gjitha bashkitë e qarkut.
Për ambientalistin Sazan Guri "këta" duke ju referuar zyrtarëve dhe qeverisë, nuk e kanë për herë të parë. Sipas tij, as dokumentet për të mbuluar atë që quhet krim që bëjnë nuk i përgatisin.
Guri: Ndihen aq të sigurt, si në prishjen e Teatrit, si në prishjen e një vepre, një shkollë, hoteli, janë ndier jashtëzakonisht të sigurt dhe komodë që nga viti 2013, sidomos me ardhjen e kryetarit të bashkisë në 2015. Nuk kanë pasur gajle që bota sot kërcënohet nga një korrupsion me mijëra apo qindra euro, këta e kanë milionshin e euros e kanë si qindarkë. Korrupsioni financiar filloi nga korrupsioni teknologjik sepse këta shkelën normat më elementare të trajtimit që quhet menaxhimi dhe trajtimi i mbetjeve urbane ku u harxhuan 6 mln euro.
Incineratori i Tiranës i ka kushtuar deri tani buxhetit të shtetit rreth 4.5 miliard lekë ose rreth 37 milionë euro, të paguara nga bashkia e Tiranës e drejtuar nga Erion Veliaj dhe qeveria shqiptare. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit, gjatë vitit 2018 rezulton se kundrejt kompanisë koncensionare Integrated Energy BV SPV janë kryer 23 transaksione, të cilat kapin vlerën e 977 milionë lekëve. Ndërsa për periudhën 2019-2021 pagesat për incineratorin e Tiranës kanë arritur vlerën e 3.5 miliard lekëve.

