Incineratorët/ Berisha: Mafia Rama-Veliaj krijuan 24 ndërmarrje për të vjedhur buxhetin. Goditën rininë
Kryedemokrati, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike deklaroi se të enjten më 7 korrik do të dalë në protestë me qëllimin e vetëm për të rrëzuar qeverinë e Ramës dhe për të dalë nga monizmi. Ndërkohë ai akuzoi treshen mafia-Rama-Veliaj mbi vjedhjen e shqiptarëve përmes aferave të incineratorit të Tiranës.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi gjatë takimit me FRPD se mafia Rama-Veliaj kanë krijuar 24 ndërmarrje në funksion të incineratorëve, për të vjedhur buxhetin e shtetit.
Berisha: Nuk ka njeri si të mos përmendë skemën e vjedhjes së parave të qytetarëve shqiptarë nga mafia Rama-Veliaj. Një treshe e tyre, krijon 24 ndërmarrje me qëllimin e vetëm lëshimin e faturave false për të vjedhur paratë e buxhetit të shtetit. Të gjitha këto qëndrim të kësaj qeverie, e cila e kam thënë dhe e them, në çdo fjalë lëshon një mashtrim, një çdo firmë një vjedhje. Kanë arritur të godasin, të rrënojnë, duhet të jemi realist me shumë se këdo tjetër, brezin e ri të vendit. Kanë arritur t'i vrasin shpresën, kanë arritur t'i krijojnë bindjen atij se ky vend nuk bëhet. Dhe e vërteta është se nuk ka goditje më të madhe për Shqipërinë se sa mendimi i shqiptarëve se ky vend nuk bëhet. Ajo është goditje fatale për vendin nëse nuk e ndryshojmë.
Kreu i selisë blu tha se më datë 7 korrik do të dalë në protestë me qëllimin e vetëm për të rrëzuar qeverinë e Ramës dhe për të dalë nga monizmi.
Berisha: Zbresim më 7 korrik në shesh. Zbres me qëllimin më të vendosur për të filluar një stinë të re në betejën e tyre për të dalë nga monizmi, në rrafshin politik. Monizmi e liria, monizmi dhe demokracia janë të papajtueshme me njëra-tjetrën. Monizmi nuk pranon lirinë, nuk pranon demokracinë. Ky zotëri që sot qeveris duke vjedhur me firmat e tij, me mafien e tij po iu ofron ju vetëm kanabisin, paratë e krimit, si shkëmbim për mohimin e votës, për mohimin e lirive.
Berisha garantoi të rinjtë se me programin e Partisë Demokratike, zëri i tyre do të dëgjohet dhe do të lejohen të japin kontributin e tyre në çdo fushë.

