Incineratorët, Baçi: Aferë korruptive, në Fier po ndërtohet një fushë tjetër për grumbullimin e plehrave
Deputeti demokrat Luan Baçi, është shprehur se tre incineratorët në vendin tonë, i Fierit, Elbasan, dhe Tiranë që në fillesat e tyre kanë qenë një aferë korruptive.
Në një intervistë për Ora News, Baçi, shprehet se janë derdhur miliona eruo për ndërtimin e incineratorëve ndërsa shton se qytetit i Fierit po vuan për shkak të grumbullimit të mbetjeve.
Luan Baçi: Të tre incineratorët që janë tashmë në vendin tonë, që në fillesat e tyre kanë qenë një aferë korruptive. Është parë dukshëm që në fillim që ka qenë një bashkërendim i punëve mes pushtetit lokal dhe firmave që morën me koncesion ndërtimin e tre incineratorëve.
Gjithë mbetjet janë të pandara dhe shkojnë ashtu siç hidhen. Plus ka edhe probleme të tjera, kaldajat janë montuar mbi sipërfaqen e tokës, dhe duheshin nën sipërfaqen e saj. Janë disa vite që janë derdhur miliona euro për ndërtimin e këtyre incineratorëve, ka vite që qyteti i Fierit po vuan grumbullimin e mbetjeve.
Po ashtu ai shprehet se në bazë të informacioneve që kanë në Fier po ndërtohet një fushë e madhe për grumbullimin e plehrave.
Sipas tij, çështja e incineratorëve është një nga aferat më të mëdha korruptive që kanë qenë në Shqipëri.
Luan Baçi: Kemi informacion që në Fier një pjesë tjetër është ndërtuar një fushë gjigante për të grumbulluar mbetjet urbane. Sipas të gjitha gjasave të gjithë ato miliona euro të takspaguesve shqiptarë, takspaguesve fierakë, nuk ka gjasa që të vihet në punë dhe të filloj të mbledhë këto mbeturina dhe aq më tepër të prodhojë energji siç janë duke thënë. Flasim firmë piramidale, për një aferë korruptive nga më të mëdhatë që mund të ketë qenë në Shqipëri. Hapja e hetimit nga SPAK është gjëja e duhur por pak vonë. Duhet të kishin filluar arrestimet.
Intervistoi Arnold Kariqi, përgatiti Anila Kolgjini.

