Inceneratorët/ Alimehmeti: Qeveria duhet të shpjegoj pse nuk ka funksionuar metoda e vjetër e menaxhimit të mbetjeve
Pjesë e panelit në emisionin “Ora e Betit” ishte Këshilltari bashkiak i PD-së, Ilir Alimehmeti i cili ka folur lidhur me menaxhimin e mbeturinave dhe për ligjin për mbetjet.
Teksa është diskutuar tematika e ligjit për mbetjet dhe kostos së saj prej gati 700 milionë eurosh, Alimehmeti është shprehur se kemi të bëjmë me diçka madhore dhe që duhet transparencë pse metodat e vjetra të menaxhimit kanë dështuar.
“Menaxhimi i mbeturinave është çështje madhore. Nuk është gjë e vogël. Ne jemi një popullatë konsumatore.
Nga krahu tjetër nëse qeveria nis dhe na thotë tani një strategji të re, në rradhë të parë duhet të na thotë pse i ka dështuar strategjia e vjetër.
Pra, nëse kemi një problem, pse e kemi atë?
....
U pyetën në Komision parlamentar dhe nuk është dhënë përgjigje.
Patjetër që ky është dëmi i parave publike.”-tha ai.
Ilir Alimehmeti gjithashtu nuk ka lënë pa përmendur disa nga inceneratorët që rezultuan jo funksional për menaxhimin e mbetjeve në qarqet e vendit, duke pretenduar se paratë e popullatës kanë shkuar drejt këtyre inceneratorëve pa u shpjeguar pse.
“Mos gaboj 26 milionë euro ka kushtuar inceneratori i Elbasanit. Po ta pjesëtosh me popullatën që ka qarku i Elbasanit, i bie që çdo banorë i këtij qarku të harxhoj 100 mijë lekë të vjetra për këtë incenerator.
Po të shkosh në Fier, janë 32 milionë euro të harxhuara për inceneratorin. Po ta pjesëtosh me popullatën e qarkut të Fierit, i bie që 150 mijë lekë të vjetra ja ka dhënë shtetit për atë incenerator.
Dhe duhet shpjeguar pse janë marrë këto para. “- u shpreh Alimehmeti.


