“Iku dhe një, djali i Xhavitit” - Mesazhet në SKY për vrasjen e Klevis Lleshit: Qeni po luante me kafkën

“Iku dhe një, djali i Xhavitit” - Mesazhet në SKY për

Emisioni “Në Shënjestër” ka publikuar detaje tronditëse nga dosja e vrasjes së Klevis Lleshit më 5 gusht të vitit 2020. Vetëm pas 5 vitesh, SPAK ka zbardhur autorët e këtij krimi për të cilin autori u pagua me shumën 50 mijë euro.

GJETJA E KUFOMËS

Në dosjen e Prokurorisë tregohen detajet se si u gjet trupi i Klevis Lleshit, disa muaj më vonë nga vrasja, më 8 dhjetor 2020 në një sipërfaqe ullishte në fshatin Shpërdhet të Kurbinit nga efektivët e policisë Kurbin të cilët u lajmëruan nga shtetasi Edmond Kolaveri, që është pronari i ullishtes.

Kolaveri deklaroi në polici se, kafkën dhe disa kocka i ka sjellë qeni i tij. Çka ka bërë që ai menjëherë të njoftojë policinë. I pyetur nga grupi hetues në vendngjarje, i zoti i ullishtes nuk diti të japë shpjegime më të gjata se si kishin përfunduar ato eshtra në pronën e tij. Madje ai tha se as kishte parë dhe as dëgjuar ndonjë gjë të pazakontë gjatë kohës që punonte aty.

Pas kqyrjes së mëtejshme të vendit të ngjarjes, u fiksua ndërkohë edhe një kockë si ajo e gjymtyrëve të sipërme dhe tre kocka të tjera të vogla. Po kështu 250 metra nga ana jugore e vendit ku u gjet kafka, brenda rrethimit të ullishtes, mbi përrua, u fiksuan të shpërndara në një sipërfaqe rreth 30 metra, mbetje kockash të dekompozuara si ato të qenieve humane.

Si dhe pjesa e një nofulle të poshtme si ato të kafkave të qenieve humane, në të cilën janë vënë re prania e dhëmbëve fundorë të pjekurisë. Po kështu 3 metra mbi rrethimin e ullishtes u fiksuan një palë pantallona të shkurtra si ato sportive me mbishkrimin ‘Nike’ si edhe një fëshfëshe e padëmtuar. Ndërsa në distancën 12 metra u fiksuan një palë mbathje.

Sipas përshkrimit të vendngjarjes, pozicioni ku u gjet trupi tashmë i dekompozuar ndodhej brenda rrethimit me rrjetë të ullishtes. Në pikën më të ulët të pritës dhe kodrës.

Por, Klevis Lleshi u pa për herë të fundit atë pasdite gushti teksa qëndronte me shoqërinë e tij në një nga lokalet, pranë zonës ku banonte. Që nga ai moment ai u zhduk sikur njëherësh ta kishte përpirë dheu.

Pa lënë asnjë njoftim, qoftë edhe për të lajmëruar nënën e tij, e fundit që kishte kontaktuar me të, gjatë orëve të paradites të po asaj dite, të datës 5 Gusht të vitit 2020.

Nëna, e cila duke ditur problematikat e të birit që ndërkohë rrinte i fshehur pasi ishte shpallur në kërkim nga policia, por edhe të familjes së tyre që ishte në hasmëri të gjatë me një tjetër fis në zonë, ishte gjithmonë në merakun se të birit do t’i ndodhte diçka e keqe.

Ashtu sikur në fakt edhe ndodhi.

Ajo së cilës nëna e Klevis Lleshit i druhej më së shumti. E keqja e paralajmëruar që do të përndiqte dhe djalin e saj, i cili pas zhdukjes së papritur, vetëm disa muaj më pas trupi i tij do të gjendej i groposur, i vrarë me një armë zjarri në një ullishte.

Fare pranë zonës ku banonte. Një krim tronditës, ku vrasësit do të duheshin 5 vite të gjata për t’u zbuluar. Të cilët në fakt nuk ishin edhe aq të panjohur me viktimën, apo krimi nuk ishte aq i sofistikuar sa të krijonte kaq shumë vështirësi gjatë hetimeve për zbulimin e tij.

Po ku edhe këtë herë policia dhe drejtësia kishin dështuar në mënyrën më të paprecedentë për të gjetur dhe vënë në kohë përpara përgjegjësisë autorët. Por ajo që familja Lleshi uroi të mos ishte e tillë do të konfirmohej në vazhdim.

Eshtrat të cilat u gjendën fare pranë përroit, ku më herët kishte pasur një përmbytje, rezultuan të ishin pikërisht të familjarit të tyre të zhdukur. Kjo e konfirmuar edhe nga analiza e ADN-së, e cila u përputh plotësisht me ato të nënës së Klevis Lleshit.

E cila nga ana e saj nuk kishte asnjë dyshim se i biri kishte pasur të njëjtin fat sikundër edhe babai i tij apo edhe të afërm të tjerë të familjes Lleshi, të cilët ose ishin vrarë ose ishin zhdukur në rrethana të paqarta.

Nga ekspertimi biologjik është konkluduar se nga krahasimi i profilit gjenetik të përfituar nga një dhëmballë e mbetjeve kockore, paraqet lidhje gjenetike bir e nënë, me profilin gjenetik të shtetases Fatbardha Lleshi. Por nëna e Klevis Lleshit dhe të afërm të tij, nuk pritën që të gjendeshin eshtrat, për të filluar kërkimet se kush ishin vrasësit e njeriut të tyre të dashur. Ata i nisën hetimet e tyre që ditën që Klevisi u zhduk.

Duke u ndalur fillimisht te vendi ku ai kishte qëndruar për herë të fundit dhe te personat me të cilët ai ishte shoqëruar atë ditë. Aty ku gjetjet e tyre do të çonin edhe te ngritja e gishtit të akuzës ndaj hasmit të tyre, familjes Hoxha. Si të interesuar direkt në zhdukjen e Klevisit.

DYSHIMET E NËNËS SË VIKTIMËS

Fatbardha Lleshi, nëna e 23-vjeçarit të vrarë Klevis Lleshi në dëshminë e dhënë dyshonte se vrasja e Klevis Lleshit, mund të ishte bërë për gjakmarrje.

Kjo pasi prej disa vitesh familja Lleshi ishte në një konflikt të hapur me familjen e Ali Hoxhës, nga fshati Shtjefën i Matit, që ishte me banim në Mamurras. Një hasmëri e gjatë, e cila kishte nisur fillimisht në Britaninë e Madhe dhe që më pas saga e vrasjeve kishte mbërritur deri në Burrel.

Në vitin 2012, Arben Lleshi, djali i xhaxhait të Klevis Lleshit ka vrarë në Angli shokun e tij Agim Ali Hoxha i cili është gjetur i shkrumbuar në makinë. Një vit më pas, në vitin 2013 ai që vritet është Xhavit Lleshi, babai i Klevis Lleshit. Dhe pas tij në vitin 2017 vëllai i tij dhe xhaxhai i Klevisit, Hajredin Lleshi.

Ndërkohë që po këtë vit rezulton i zhdukur në Kamëz, në rrethana ende të paditura, djali i Hajredinit, Artan Lleshi. Të gjitha këto ngjarje pa autor. Do të ishin pikërisht këto vrasje dhe hasmëria me familjen Hoxha, të cilat do të sillnin edhe reagimin e parë të nënës së Klevis Lleshit e cila menjëherë pas zhdukjes së të birit, ngriti gishtin e akuzës ndaj familjes Hoxha.

Fatbardha, nëna e Klevis Lleshit, dha dhe dëshminë e saj për zhdukjen e të birit, si dhe mbi personat e fundit me të cilët Klevisi ishte shoqëruar atë ditë, hetime të cilat në atë kohë u nisën nga Prokuroria e Kurbinit.

Lleshi tha se i biri ishte në kërkim pas një konflikti që kishte me shtetasin Maringlen Hoti. Dhe për këtë arsye ai këtë kohë qëndronte i fshehur. Por edhe pse qëndronte i fshehur, ai nuk i kishte shkëputur marrëdhëniet me nënën e tij.

Me të cilën komunikonte vazhdimisht nëpërmjet ëhats app. Ashtu sikurse kishte biseduar edhe atë ditë, ku biseda e tyre e fundit kishte qenë rreth orës 12.00.

“Klevisi ka qenë në kërkim nga policia për shkak të një konflikti që kishte me shtetasin Maringlen Hoti. Për këtë arsye ai qëndronte i fshehur. Hera e fundit që fola me të ishte me datë 5 Gusht 2020 rreth orës 12.00 nëpërmjet whats app”, ka deklaruar Fatbardha Lleshi.

Por nëna e Klevis Lleshit duket se kishte informacione të sakta lidhur mbi personat me të cilët djali i saj ishte parë për herë të fundit në të gjallë.

Një nga këta emra që ajo përmendi ishte edhe Sabah Nuzi i thirrur ndryshe si Sabi. Një personazh me rekorde të shumta penale në zonë. Dëshmi të cilat ajo dhe të afërmit e saj i kishin marrë në rrugë operative.

Aty ku kishin mësuar po kështu se Maringlen Hoti, personi me të cilin Klevisi ishte konfliktuar dhe qëndronte i fshehur pas shpalljes në kërkim nga policia, ishte shprehur në shoqërinë e tij se Klevisin e kishte parë pasditen e datës 5 gusht në dalje të tunelit të Shkopetit në shoqërinë e Sabah Nuzit, jashtë një makine, duke pirë të dy cigare. dub

Por duke qenë se Maringleni ishte në konflikt me Klevisin dhe ishte i interesuar të dinte vendndodhjen e tij, ai mësohet se ishte kthyer sërish me makinë në vendin ku e kishte parë për herë të fundit atë në shoqërinë e Sabah Nuzit.

Por me t’u kthyer në hyrje të tunelit të Shkopetit, kishte konstatuar që automjeti i këtij të fundit nuk ishte në njëjtin vend. Por kishte lëvizur te një shtëpi e braktisur.

“Ajo që dua të deklaroj është se në lidhje me zhdukjen e djalit tim Klevisit unë kam dyshime të forta te shtetasi Sabah Nuzi. Si dhe te personat e tjerë, që atë ditë kanë qenë në praninë e tij.

Po kështu ne kemi mësuar se Maringlen Hoti është shprehur në rrethin e tij shoqëror se më datë 5 Gusht 2020, rreth orës 16.00, pasi ka kaluar tunelin e Shkopetit, ai ka parë makinën e Sabah Nuzit të parkuar në cep të rrugës dhe vetë Sabahun që ishte jashtë makinës duke pirë cigare me Klevisin.

Dhe se ai Maringleni ishte kthyer sërish te i njëjti vend, por makina kishte lëvizur te një shtëpi e braktisur. Ndërkohë që A. D më ka thënë që ditën e zhdukjes së Klevisit, ai ka parë disa pamje filmike të kamerave të sigurisë në afërsi të lokaleve ‘Koliqi’ dhe ‘Ballabani’, ku kishte dalluar një automjet ‘Mercedes Benz’ me xhama të zinj, që rreth orës 14.40 të asaj dite kishte bërë xhiro aty dhe më pas ishte larguar”, mësohet të ketë thënë nëna e Klevis Lleshit.

Shoqërimin e Klevis Lleshit me Sabah Nuzin ditën e ngjarjes e konfirmuan edhe të tjerë dëshmitarë okularë që kishin qenë në praninë e tij.

Njëri prej tyre R. U, tha për oficerët e policisë se në të njëjtën ditë kur pretendohej se ishte zhdukur ai e kishte parë Klevisin në prani të Sabah Nuzit, në cep të lokalit ku po qëndronin, në shoqëri edhe të disa personave të tjerë. Më pas ata ishin larguar dhe Klevisi kishte mbetur në praninë e Sabah Nuzit dhe një personi tjetër që rrinte shtrirë në makinë.

“Më datë 5 Gusht 2020 unë kam qenë në lokalin ‘Koliqi’, dhe bashkë me mua në këmbë duke pirë cigare kanë qenë edhe tre persona të tjerë, si edhe Klevis Lleshi, Sabah Nuzi dhe një person që rrinte shtrirë në makinë që nuk ia di emrin. Pasi unë dhe tre personat e tjerë u ulëm në kafe, Klevisi vazhdoi të qëndronte jashtë lokalit me Sabahun dhe personin tjetër, duke biseduar me njëri-tjetrin.

Më tej unë nuk e di se ku shkuan Klevisi, Sabahu dhe personi tjetër. Unë qëndrova në lokal deri në orën 21.00 dhe më pas lëviza drejt Milotit dhe më tej drejt Tiranës”, ka deklaruar një nga dëshmitarët që e panë për herë të fundit Klevis Lleshin. U tha për oficerët e policisë gjyqësore se vetëm të nesërmen ai mësoi se Klevis Lleshi ishte zhdukur. Dhe këtë ia tha një shoku i tij.

Por dyshimet e nënës së Klevis Lleshit se Sabah Nuzi ishte personi që kishte dorë në rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e të birit, mbetën vetëm të tilla në atë kohë. Edhe pse i gjithë Burreli kur vinte fjala te zhdukja e Klevis Lleshit nuk ngurronte të përmendte emrin e tij, askush nuk kishte prova të mjaftueshme që të provonte bashkëpunimin e tij në krim.

Por ajo që do të përbënte një çudi më vete dhe që do të përkonte me gjetjen e eshtrave të Klevisit, ishte fakti se mbetjet e trupit të tij u gjetën të groposura në pronën e familjes Kolaveri që ishte lidhje gjaku me atë Hoxha që ishin hasmët e familjes Lleshi. Lidhje gjaku me familjen e Ali Hoxhës që i pranoi dhe vetë Edmond Kolaveri. Pronari i ullishtes në fshatin Shpërdhet në Mamurras, ku më datë 8 Dhjetor 2020, u gjetën mbetjet kockore.

“Ali Hoxha është bashkëshorti i hallës sime, dhe djemtë e tij i kam djem halle. Po kështu Ali Hoxha banon në të njëjtën lagje ku banoj edhe unë dhe i kemi shtëpitë ngjitur, në lagjen ‘Demokracia’, në Shpërdhet, Mamurras”, ka deklaruar në polici Kolaveri.

Por a ishte kjo një ngatërresë e qëllimshme nga ata që kishin kryer krimin, për ta groposur pikërisht trupin në tokën në pronësi të hasmit të tyre.Apo kjo ishte një mënyrë për t’u kujdesur që trupi të ruhej pikërisht në pronën e tyre me qëllim që të mos gjendej asnjëherë nga familjarët e viktimës dhe policia.

E vërteta është që Edmond Kolaveri duket se nuk ishte i informuar për këtë fakt. Në të kundërt ai nuk kishte pse të kallëzonte në polici gjetjen e eshtrave të një personi që ishte në hasmëri dhe mund të implikonte familjen e tij.

BISEDA NË SKY ECC

Por për të zbuluar të gjithë mekanizmin dhe autorët e këtij krimi makabër do të duhet të kalonin shumë kohë. Madje vite, derisa në lojë u futën bisedat në Sky Ecc.

Ku ashtu si në shumë raste të ngjashme, vrasësit u kishin besuar të gjitha krimet e tyre. Siç në fakt kishin bërë edhe porositësi, autori dhe ndërmjetësi në zhdukjen e Klevis Lleshit.

Biseda tronditëse të cilat jo vetëm zbuluan grupin por edhe mendësinë kriminale me të cilën ata vepronin. Gjë që shihet qartë edhe te bisedat në Sky Ecc të siguruara nga emisioni ‘Në Shënjestër’. Materiale të vëna në dispozicion për SPAK nga nga autoritetet ligjzbatuese në Francë.

Emisioni “Në Shënjestër” ka publikuar përgjimet në SkyEcc të Aurel Hoxhës, i cili nga biseda është porositësi i vrasjes së Klevis Lleshit në gusht të vitit 2020.

Nga bisedat e zbardhura, shihet se ai ishte më aktivi në të gjitha bisedat në vazhdim që përkojnë edhe pas zhdukjes dhe gjetjes së trupit të Klevis Lleshit.

Kolaveri është vëllai i Agim Hoxhës, i vrarë dhe i gjetur i djegur në një makinë në Britaninë e Madhe në vitin 2013 nga Arben Lleshi, djali i xhaxhait të Klevis Lleshit.

Sipas emisionit “Në Shënjestër”, Aurel Hoxha më datë 25 korrik 2020 mban fillimisht kontakte në Sky Ecc me një personazh shumë të njohur të krimit, Hektor Xheçukaj i njohur si Tori Xheçukaj të cilit i kërkon një sasi të madhe parash, me qëllim që tja japë kushëririt të tij, Saimir Kolaveri, që ndërkohë ndodhet me qëndrim në Gjermani.

Vëlla a s’të dha gjë ai dibrani? Më duhet të plotësoj 50 mijë euro për atë të Sajmirit. 25 po ia marr njërit në Angli dhe 25 të na i kishte dhënë ky. Nuk na bie më ky rast. Jam gati të shes dhe gjakun dhe të mos e lej këtë punë për para”, mësohet të ketë thënë Aurel Hoxha.

Nga sa kuptohet edhe nga bisedat Hoxha ka marrë garanci për të mbyllur një punë dhe po kërkon të nxitojë. Fillimisht në komunikimet e tij ai nuk flet se për çfarë pune bëhet fjalë. Por ajo që vihet re është se Saimiri, që rezulton se është kushëriri i Aurelit, jo vetëm i kërkon 50 mijë euro për mbarimin e punës, por gjithashhtu i kërkon nga ana e tij që t’i mbarojë edhe një punë jashtë Shqipërisë.

Punë e cila mesa duket konkretizohet më datë 5 Gusht. Ndërkohë që Aurel Hoxha, merr masat që të largohet më herët nga Shqipëria, për të shmangur çdo implikim të tij me zhdukjen e Klevis Lleshit. Ku siç shikohet edhe nga bisedat në Sky Ecc më datë 2 Gusht ai informon Tori Xheçukën se është larguar në Turqi. Gjë që konfirmohet edhe nga sistemi TIMS.

Ndërkohë që lajmi që ai priste prej shumë kohësh dhe ku kishte hedhur shumë para, mbërriti më datë 5 Gusht.   Ku i paduruar në orën 15.30 të kësaj date ai i dërgon një personi të paidentifikuar nëpërmjet aplikacionit Sky Ecc, foton e një personi në dukje të shtrirë në tokë.  Me siguri i vrarë, trupi i të cilit ishte fshehur në bimësinë e zonës.

Bisedat Sky Ecc

5 Gusht 2020 – Ora 15:40

Aurel Hoxha i dërgon një personi të paidentifikuar foton e një personi të shtrirë, pjesërisht të futur në një ambient me bimësi. Ku në vazhdim i thotë se janë vrarë 4 persona nga e njëjta familje dhe derisa t’i vrasë të gjithë burrat e kësaj familje, nuk do të ndalet.

“Një gënjeshtar më pak vëlla. Janë tashmë katër nga e njëjta familje, dhe deri sa t’i vras të gjithë burrat e tyre, nuk do të ndalem.’

Vetëm një orë më pas të njëjtën foto në dukje të një personit të vrarë Aurel Hoxha, ia kalon edhe një personi tjetër të paidentifikuar. Duke i shprehur të gjithë ekzaltimin e tij lidhur mbi vrasjen.

Ndërkohë që ajo lihet të kuptohet nga biseda është se bashkëbiseduesi ka dijeni për personin në foto. Kjo pasi duhet ta ketë njohur nga pranë. Dhe se Aurel Hoxha nuk ka nevojë t’i tregojë atij emrin e personit që qëndron i shtrirë në tokë. Çka lë të kuptohet që bashkëbiseduesi ka dijeni për planin e Aurel Hoxhës për të vrarë Klevis Lleshin.

Bisedat Sky Ecc

5 gusht 2020 – Ora 17:10

‘Ça bëre ti vëlla. Si kalove?

E di që të bëhet qejfi, prandaj po ta çoj këtë foto. Deri tani shyqyr, mashallah. Unë të drejtën time po kërkoj. Zoti para dhe ne mbrapa…’

Po në të njëjtën ditë pasi ka biseduar fillimisht më dy personat e paidentifikuar, Aurel Hoxha bisedon po kështu me Tori Xheçukën.

Ku këtu për herë të parë identifikon edhe personin e vrarë në foto. Aurel Hoxha që i thotë Tori Xheçukaj, se personi në foto është djali i Xhavitit. Duke iu referuar kësisoj Klevis Lleshit. Ndërkohë që të gjitha këto biseda zhvillohen gjatë kohës kur familja e Klevisit nuk e dinte ende që djali i tyre është zhdukur.

Kjo pasi këto komunikime ndodhin vetëm një orë nga koha e vrasjes së tij. Dhe fotoja mesa kuptohet është dërguar nga vrasësi i tij si një dëshmi e punës së kryer me sukses.

Bisedat Sky Ecc

5 Gusht 2020 – Ora 17:08

Aurel Hoxha bisedon me Tori Xheçukën. Ai i dërgon atij foton e një personi të shtrirë në tokë, duke i thënë se është djali i Xhavitit.

Hoxha e informon Xheçukën se ai vetë ka ikur në Stamboll dhe se vrasjen nuk e ka bërë ai, por e ka bërë kushëriri i Saimirit. Vrasës të cilit ai i drejrohet me emrin Sabi.

‘Iku dhe një vëlla. Hahaha. Djali i Xhavitit. Ti marr pushimet njëherë vëlla. Edhe vetë ika në Stamboll.”

Ky është pikërisht edhe momenti kur Aurel Hoxha jep dhe detajet e para se si ishte kryer vrasja e Klevis Lleshit. Ku fillimisht ai thotë se kishin menduar ta vrisnin te pallati i tij, por më pas ishin tërhequr nga ky mendim.

Pasi kishin frikë se plani do të dekonspirohej. Për këtë arsye po sipas tij vrasësi e kishte marrë Klevisin në makinë, dhe po aty e kishte qëlluar. Vrasës që deri në këtë moment njihej me emrin e shkurtuar Sabi dhe që është kushëri me Saimirin. Personi që i kërkonte 50 mijë euro për të mbaruar punën. Saimiri që po kështu është kushëri nga ana e babait me Aurel Hoxhën.

Bisedat Sky Ecc

5 Gusht 2020

Aurel Hoxha vazhdon bisedën me Tori Xheçukën.

“Nuk e bëra vetë. E bëri ai kushoja i Sajmirit. Se e patën lënë ta bëjmë te pallati, po u merrte vesh. Po ky e paska marrë në makinë dhe e paska mbaruar atë punë. Ai i vogli. Po ai Sabi.”

Sipas të dhënave të siguruara nga sistemi TIMS, Aurel Hoxha del se u kthye në Shqipëri nga Stambolli nëpërmjet pikës së Rinasit, më datë 7 Gusht, vetëm 2 ditë pasi Klevis Lleshi ishte raportuar i zhdukur nga familja e tij.

Teksa ai vazhdon të jetë i papërmbajtur në gëzimin e tij. Gjë që ai e shpreh edhe në bisedat me të tjerë persona të paidentifkuar, por që mesa duket janë pjesë e rrethit të tij të ngushtë shoqëror. Ashtu si në këtë bisedë.

Biseda Sky Ecc

‘Festë e gëzim paç gjithë jetën shok’. ‘Po e di se ty të bëhet qejfi, prandaj ta çova edhe atë kurvën. Ja u q.. rracën, ça kanë kërkuar kanë gjetur.’

/Emisioni “Në Shënjestër”

EMISIONET