I shpallur në kërkim në 2021 për kultivim dhe shitje kanabisi, në pranga 34 vjeçari në Fushë Krujë
Një 34 vjeçar është arrestuar nga policia në Fushë Krujë pasi ishte shpallur në kërkim në 2021 për kultivim kanabisi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e personave në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, në kuadër të operacionit policor të koduar “Kultivuesi”, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim:
A. T. 34 vjeç, banues në fshatin Larushk, Fushë Krujë.
Gjykata e Shkallës së Parë Krujë i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotike" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikeve", të kryera në bashkëpunim.
Gjatë një operacioni të zhvilluar në qershor të vitit 2021, për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, në afërsi të banesës së tij, në Larushk, janë gjetur të kultivuara në dy sera, 280 bimë narkotike cannabis sativa, të cilat dyshohet se 34-vjeçari i kishte kultivuar në bashkëpunim me babanë e tij.
Gjithashtu, në banesën e këtyre dy shtetasve, Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi prej 5 kilogramë lëndë bimore të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

