I shkarkon vettingu, japin mësim! Të përjashtuarit nga drejtësia bëhen pedagogë në universitete

Dhjetëra gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar nga vetting për probleme me pasurinë, aftësinë profesionale apo pastërtinë e figurës po gjejnë vend në sistemin arsimor si pedagogë. Në ditën ndërkombëtare të integritetit Qëndresa Qytetare ngriti këtë shqetësim bashkë me faktin se 68 drejtorë ngelës në provime, vazhdojnë të jenë në detyrë në shkolla të ndryshme të vendit.

Gjykatësit dhe prokurorët, të cilët vettingu i ka shkarkuar nga radhët e drejtësisë, përveç punës që kanë nisur si avokatë dhe noterë duket se kanë gjetur hapësira edhe në sistemin arsimor duke dhënë mësim në universitete.

Sipas Migen Qiraxhiut nga Qëndresa Qytetare, këta individë në momentin që janë të përjashtuar për 3 kriteret e vettingut, për  pastërtinë e figurës, ligjshmërinë e pasurisë dhe aftësinë profesionale, kanë vijuar punën të pa shqetësuar duke dhënë mësim në institucionet arsimore.

"Po shohim sjelljen e disa figurave që janë përjashtuar nga sistemi i drejtësisë për lidhje me krimin e organizuar, paaftësi profesionale por edhe për fshehje të pasurisë. Janë nxjerrë nga dritarja e drejtësisë dhe po futen nga dyert e fakulteteve."

Përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë tha së janë ngritur grupe inspektimesh, të cilët do ti verifikojë këto raste.

"Dy drejtori me një staf të shtuar njerëzish në nivelin e inspektorëve që marrin në administrim të gjitha ankesat, raste denoncimi nga çdo qytetar dhe biznes."

Një tjetër shqetësim që ngriti Qëndresa Qytetare në ditën Ndërkombëtare të Integritetit është edhe ushtrimi i detyrës nga 243 drejtorë shkollash, ku 68 prej tyre kanë rezultuar ngelës në provimin e zhvilluar në muajin korrik të këtij viti.

"Nga 243 drejtues që janë futur në shkollën e drejtorëve nuk kanë kaluar 68 drejtues shkollash."

Pavarësisht këtij rezultati mbetës për aftësitë profesionale, ky numër arsimtarësh vijojnë të jënë përsëri në detyrë.

EMISIONET