"Humbi jetën nga gjakderdhja", i riu në Fushë Krujë u vra me një mjet shpues, autorët e dyshuar dy vëllezër
Zbardhet ngjarja e ndodhur mëngjesin e datës 21 tetor 2022, në Fushë Krujë, ku u gjet i pajetë shtetasi Indrit Ndoj, 34 vjeç, banues në Krujë.
Policia ka dokumentuar me prova ligjore se 34-vjeçari nuk është vrarë me armë zjarri, por me një send të fortë shpues/ prerës.
Po kështu janë identifikuar dhe vënë në pranga dy vëllezër, të dyshuar si autorë të vrasjes.
Të arrestuarit janë shtetasit Sajmir Miri, 39 vjeç dhe Landi Miri, 18 vjeç, banues në Fushë Krujë.
Nga tërësia e veprimeve të thelluara hetimore, këqyrja e vendit të ngjarjes, këqyrja e trupit të viktimës, si dhe mekanizmi i ngjarjes, ka rezultuar se në trupin e viktimës ka një plagë në këmbën e djathtë, që është shkaktuar nga një mjet i fortë shpues / preres dhe për shkak të gjakderdhjes, 34-vjeçari ka humbur jetën.
Grupi hetimor, gjatë veprimeve hetimore ka sekuestuar në vendngjarje dhe në banesën e dy vëllezërve, prova ligjore që implikojnë dy vëllezërit në vrasjen e 34-vjeçarit.
Paraprakisht dyshohet se dy vëllezërit janë konfliktuar fizikisht, për motive të dobëta, me 34-vjeçarin, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” dhe e kishte thyer masën duke dalë në rrugë.
Në konflikt e sipër, ata e kanë goditur me një mjet të fortë shpues 34-vjeçarin dhe më pas janë larguar.
Materialet proceduriale i kaluan Pokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Vrasja", e kryer në bashkëpunim.

