Tërmeti në Klos, raportohen 206 banesa të dëmtuara, nis verifikimi në terren

206 banorë kanë raportuar dëmtime nga tërmeti i datës 15 janar në Klos. Bashkia atje ka nisur verifikimin e dëmeve ndërsa saktësisht ende nuk dihet se sa janë dëmet reale, ndërsa pritet raporti përfundimtar.

Ka shkuar në 206 numri i kërkesave nga banorët kundrejt Bashkisë Klos për dëme të shkaktuara nga tërmeti i 15 janarit.

Duke qenë se kjo zonë ishte epiqendra e dy lëkundjeve të fuqishme, numri i qytetarëve që kanë raportuar për dëme në banesa apo objekte të tjera sa vjen e rritet.

Sipas zëdhënëses për mediat e kësaj bashkie, Zamira Kajaçi, grupet e punës kanë arritur të virifikojnë në këto tri ditë 104 raportime të banorëve. Puna sipas Kajaçit do të vijojë pa ndërprerje deri në verifikimin e banorit të fundit.

"Sipas informacioneve të mara në kohë reale nga grupet e punës që aktualisht po punojnë në terren, kemi 206 kërkesa për verifikim në banesë dhe nga këto kemi verifikuar 104," tha Zamira Kajaçi.

Nga ana tjetër, Kajaçi u shpreh se krahas grupeve të ekspertëve në terren kanë dalë edhe punonjësit e shërbimit social në këtë bashki, që po punojnë për të qetësuar qytetarët si dhe për tju ardhur në ndihmë me pako sociale.

"Kemi të bashkangjitur dhe punonjësit social të cilët po ju vijnë në ndihmë banorëve të prekur, duke përgatitur disa paketa sociale," tha ajo.

Mbrëmjen e së dielës dy lëkundje të fuqishme tërmeti u regjistruan në Njësinë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit, por ato u ndjenë edhe në pothuajse të gjitha qytetet e Shqipërisë.

EMISIONET