Atentati në Fushë-Krujë/ Në mjetin e djegur të autorëve gjendet një automatik, dyshohet se është përdorur për krimin
Atentati në Fushë-Krujë, policia: Në mjetin e djegur të autorëve gjendet një automatik
Policia ka dalë në njoftim zyrtar, për atentatin e ndodhur në Fushë-Krujë ditën e sotme (16 Korrik) ku si pasojë kanë humbur jetën Diklen Vata 30-vjeç, dhe dy persona të tjerë identiteti i të cilëve nuk është identifikuar.
Policia bën me dije se automjeti tip "Volswagen Passat" me të cilën po udhëtonte Vata me dy të tjerët ka marrë flakë pasi është qëlluar me armë zjarri.
Mësohet se 30 vjeçari, nga Fushë Mamurrasi, i cili ka qenë pasagjer por ka mundur të dalë nga automjeti, dhe ka humbur jetën sapo ka dalë prej tij.
Nga krehja e zonës, në Larushkë, është gjetur duke u djegur një automjet tip "Volsëagen Passat" që dyshohet se është i autorëve.
Në brendësi të automjetit është konstatuar një armë zjarri automatike që dyshohet se është përdorur nga autori/ët për të kryer krimin.
Në ndihmë të Policisë vendore kanë shkuar grupe të FNSH Tiranë dhe janë ngritur pika kontrolli nga DVP Tiranë e Lezhë.
“Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, po punon për identifikimin e dy shtetasve të djegur në automjet dhe për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e çdo prove të vlefshme që do ti shërbejë zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorëve. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe forca të shumta Policie.”- njofton policia.