"I mora në bankë", donte të mashtronte punonjësen me dollarët fals, avokati: I gjeti në rrugë, do bënte jetë luksi
Tre të rinjtë e arrestuar me 3600 dollarë fals në një pikë këmbimi në tiranë tri ditë më parë u lanë në burg nga gjykata e kryeqytetit. Ata nuk e pranuan akuzën ndërsa në seancë thanë se dollarët i gjetën në rrugë në zonën e laprakës dhe shkuan më pas për ti këmbyer me qëllimin që siç tha avokati, për të bërë për disa ditë jetë luksi. Por policia dyshon se tre personat kanë mashtruar qytetarë në disa rrethe të vendit me kartmonedha false.
Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" ndaj tre personave të arrestuar për përdorimin e dollarëve të falsifikuar në një pikë këmbimi në kryeqytet tri ditë më parë.
Të dyshuarit Viard Kotori, Ervin Kamolli dhe Etmond Dokushi nuk e kanë pranuar akuzën se merreshin me falsifikim kartmonedhash për t'i hedhur më pas ato në qarkullim.
Avokati i të akuzuarit Viard Kotorri theksoi se klienti i tij i ka gjetur në rrugë dollarët fals, dhe ka shkuar për t'i këmbyer në pikën valutore ku edhe u zbulua ngjarja.
"Ka theksuar që këto para i ka gjetur në afërsi të zonës të Laprakës. "Jam tunduar nga këto para" dhe ka shkuar për t'i thyer dhe ka menduar për të bërë disa ditë një jetë luksi", tha avokati.
Avokati theksoi se dy të arrestuarit e tjerë nuk kanë pasur dijeni për kartmonedhat false.
"Për dy personat e tjerë që janë sërish në këtë çështje më duhet të theksoj se janë të pafajshëm sepse nuk kanë pasur në asnjë moment dijeni për veprimet e Viardit", tha avokati.
Tri ditë më parë shtetasi Viard Kotorri u paraqit me kartmonedha false në një pikë këmbimi valutor.
I riu, i cili më pas është arrestuar nga policia, u mundua të mashtrojë punonjësen duke thënë se dollarët ishin marrë në bankë.
Por pasi punonjësja e kuptoi mashtrimin, i riu doli nga dyqani dhe u largua me shpejtësi për tu arrestuar pak më vonë nga policia bashkë me dy personat e tjerë Etmond Dokushi dhe Ervin Kamolli.
Policia i akuzon tre të rinjtë për “falsifikim të monedhave”, në bashkëpunim ndërsa ka sekuestruar shumën prej 3650 dollarë. Grupi i hetimit dyshon se ata kanë mashtruar me para false qytetarë të ndryshëm në Tiranë, Korçë, Lezhë dhe Elbasan.

