Krimi i organizuar po shfrytëzon vakumin politik, eksperti Zhilla analizon fluksin e shqiptarëve në Britani, varkat kineze ulën "pazarin"

Britania e Madhe ka dhënë alarmin se 40% të emigrantëve të futur në territorin e saj gjatë periudhës së verës janë shqiptarë.

Fabian Zhilla, ekspert i sigurisë, në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma thotë se krimi i organizuar po shfrytëzon vakumin politik në Britani.

Një tjetër arsye sipas tij është dhe forma e re e transportit që kanë gjetur trafikantët për të kaluar kanalin nga Franca në Britani, e cila shoqërohet dhe me ulje të çmimit.

Zhilla komentoi edhe propozimin e deputetëve britanikë për të deportuar në Ruanda të gjithë klandestinët që hyjnë me gomone në Britani.

Zhilla: Për periudhën e verës ka një rritje të konsiderueshme. Kjo sipas analistëve po shfrytëzohet nga krimi i organizuar shqiptart dhe nga trafikantët e qënieve njerëzore për shkak se ka një boshllëk politik në Britaninë e Madhe, nuk kemi akoma të përcaktuar se kush do të jetë kryeministri dhe ata janë fokusuar kryesisht në debatet e brendshme politike.

Kjo tregon sesa të sofistikuar janë grupet kriminale, nuk janë vetëm shqiptarët që po e bëjnë atë, janë dhe disa grupe të tjera. Por shohim se tashmë është nxjerrë një model tjetër i trafikimit të qënieve njerëzore që kryhet përmes disa varkave që porositen në Kinë dhe nuk janë si skafet që përdoreshin në 1997 për të kaluar brigjet shqiptare në Itali por janë disa varka që ata i përgatisin, organizojnë lëvizjen dhe më pas vetë emigrantët i përdorin nën udhëzimin e trafikantëve.

Kjo ka bërë që të ulet dhe çmimi i kalimit në atë kanal midis Francës dhe Britanisë së Madhe. Ka shkuar në vlerat 4500-5000 paund. Ndërkohë që kalimi përmes fshehjes në format e tjera të transportit kap vlerën 20-25 mijë paund. Kjo sigurisht ka rritur kërkesën dhe ka bërë të rritet numri në përmasa të frikshme. Kjo ka ndezur dhe alarmin te autoritetet britanike. Një shqetësim i ngritur prej tyre është se kjo po lehtësohet qëllimisht dhe nga autoritetet franceze që mbetet për tu parë nëse ëshë pjesë e retorikës politike të momentit apo ka baza.

Propozimi i deputetëve për deportim të klandestinëve në Ruanda

Krimi i organizuar po shfrytëzon vakumin politik, eksperti Zhilla analizon

Propozimi është kritikuar pasi ka shkelje të të drejtave të njeriut. Nuk mendohet se do zgjidhë problemin e ngritur ndërkohë që e vërteta është se numri i të deportuarve nga Britania e Madhe ka qenë rreth 10 mijë të deportuar, ku përfshihen dhe shqiptarë. Në këtë kontekst Britania e Madhe nuk është se nuk ka qenë efektive. Por çuarja në Ruanda sigurisht që do të sjellë probleme të natyrave sociale dhe ky është një vendim që po kontestohet, por do të shikohet me zgjedhjen e kryeministrit të ri se çfarë vendimi do të marrë Britania e Madhe, do ta zbatojë këtë plan apo jo. Është diskutuar dhe me autoritetet shqiptare, ka pasur një përpjekje të ministres Patel për të gjetur një zgjidhje. Një ide ka qenë që të deportoheshin në Shqipëri, por në dijeninë time nuk është rënë dakord për këtë version dhe është kaluar në versionin e Ruandës, i cili do të shohim nëse do të konkretizohet apo jo.

Raporti i Shërbimit Inteligjent Ushtarak

Është një raport që nuk është bërë publik dhe kjo cënon deri diku vërtetësinë e raportit. Së pari, si ka mundësi që autoritetet ushtarake bëjnë një analizë të tillë? Ata janë marrë me hetimin e lëvizshmërisë së varkave të shpejta, pjesë e kontrollit të brigjeve, por informacioni që ka dalë në media jep detaje dhe për grupet kriminale. Kjo do të thotë se ata janë marrë dhe me hetimin e grupeve kriminale dhe rrjeteve kriminale dhe sipas kësaj analize organizimi i grupeve kriminale shqiptare në trafikun e qënieve njerëzore është jashtëzakonisht i organizuar. Çudia tjetër është që sado të organizuar janë edhe mendjelehtë. I gjithë aktiviteti organizohet përmes TIK-TOK-ut. Jepen të gjithë informacionet atje, bëhen thirrjet atje. Në një anë të duket sikur janë shumë të organizuar dhe nga ana tjetër janë lehtësisht të verifikueshëm dhe mund të identifikohen.

Rekrutimi i klandestinëve në TIK-TOK

Nxjerrin informacionet në TIK-TOK, u bëjë thirrje dhe pastaj u japin numrat e telefonit për ti kontaktuar. Shumë nga ata nuk dinë anglisht dhe kjo është e çuditshme. Por në fakt pse duhet të dinë anglisht përsa kohë ata merren vetëm me shqiptarë kryesisht, por mendohet që janë grupe kriminale që qëndrojnë në brigjet e Francës dhe kanë lidhje të forta dhe me grupet kriminale në Spanjë.

Gazetarët i gjejnë trafikantët, policia britanike pse jo?

Kjo është një pyetje që është ngritur nga shumë gazetarë dhe media. Shpesh gazetarët inestigativë me punën e tyre profesionale kanë hyrë aty ku policia e ka pasur shumë të vështirë, në këtë aspekt edhe media investigative filloi pasi doli raporti në publik. Si duket raporti ka qenë në duart e medias dhe para se të bëhej publik. Gazetarët shfrytëzuan momentin. Ajo është shumë e thjeshtë, merr në TIK-TOK dhe kontakton. Dikush e ka provuar dhe ka qenë i suksesshëm. Por kjo tregon edhe që gjithmonë sistemet e mbrojtjes së sigurisë kanë boshllëqe serioze dhe kjo shfrytëzohet nga krimi i organizuar që është shumë praktik.

Çfarë ndryshon me Kryeministrin e ri?

Autoritetet britanike, sidomos pas këtij raporti dhe një shpërthimi mediatik që ka ndodhur në Britaninë e Madhe, sigurisht që do të marrin masa të menjëhershme. Mendoj se do të jenë goxha të ashpra, duke siguruar kufijtë, duke rritur bashkëpunimin me autoritetet shqiptare dhe franceze, duke rritur kapacitetet mbrojtëse. Një nga problemet që raporti nxirrte ishte që ekspertiza sa i përket monitorimit të këtij lloj trafiku kishte probleme. Ata do reagojnë dhe do japin rezultate. Kjo sigurisht do jetë me kosto për ata shtetas shqiptarë që do të pretendojnë të marrin aventura të kësaj natyre.

Shkelja e të drejtave të njeriut nga qeveria shqiptare, preteksti për azil

Në këtë formë të re trafiku organizatorët nuk shfaqen. Ata thjesht mbledhin emigrantët në një vend të caktuar, u japin varkën. Sigurisht kanë lidhje me pjesën tjetër, marrin informacion që nuk ka probleme gjithashtu ju bëjnë dhe lidhje me juristë apo zyra avokatie të cilët janë specializuar në çështjet e emigrimit. Kjo është njëfarë reklame që me politikat jashtëzakonisht të ashpra që ka Britania e Madhe në lidhje me emigrimin, rastet e tyre në shumicën e rasteve nuk janë të suksesshme. Përveç rasteve që emigranti do të tregojë vërtet që është një emigrant që ka vajtur në Britaninë e Madhe për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut, pra emigrant politik, për çështje sigurie fizike apo i kërcënohet jeta. Gjykatat britanike mendoj se do të jenë dhe më të ashpra duke pasur parasysh këtë lloj ndikimi dhe nuk mendoj që rastet e emigrimit me kërkesa për shkelje të të drejtave të njeriut do të jenë të suksesshme. Rinia shqiptare, publiku shqiptar, duhet të jetë shumë i kujdesshëm sepse thjesht do të përfundojnë dhe qëndrojnë në kampet që janë ngritur atje. Mund të deportohen në Ruanda dhe tu kthehet në një boomerang. Edhe në rastin më të mirë kur ata do të kalojnë bregun dhe do jenë atje, mund të jenë subjekt nga krimi i organizuar dhe gjatë gjithë kohës do jenë të fshehur dhe nën presion. Ka shumë raste që gjenden në kurth dhe nuk kanë mundësi të kthehen për shkak të borxheve që kanë marrë. U duhet të rrinë të fshehur, duke ju kthyer në një stres psikologjik.

Pse ikin shqiptarët?

Shqiptarë nuk po emigrojnë por po arratisen. Jemi në të njëjtin mentalitet por mbase në një formë më mirë të paketuar. Akoma nuk kemi lirinë e duhur. Ky është një nga aspektet që pse shqiptarët nuk kthehen. Sepse nëse ata do shkojnë atje dhe do shohin se nuk kanë kushte të mira  ata do gjejnë forma… sepse shteti britanik ua jep dhe mundësinë  që nëse dorëzohesh vullnetarisht mund të të ndihmojnë dhe financiarisht. Japin dhe skema të kësaj natyre. Por është një arrati. Shqiptarët që vendosin  të marrin këtë rrugë të dhimbshme për tu larguar tregon se shtëpia e tyre ka shumë punë për të bërë. Por zgjidhja përmes arratisjes nuk zgjidh gjë. Ata shkojnë si qytetarë të dorës së dytë dhe të tretë dhe kurrë nuk do fitojnë statusin që duhet. Shqiptarët do tu duhet të punojnë fort, të qëndrojnë këtu dhe të krijojnë një masë kritike, të ndryshojnë elitën politike dhe ta bëjnë këtë vend që Zoti i ka dhënë gjithçka përveçse njerëzve, të rikthejnë njerëzit e duhur.

EMISIONET