I biri i deputetit socialist i fiku cigaren në trup të dashurës, i vëllai kërcënoi drejtorin e policisë, kush janë Rexhep e Xhelal Rraja
Djali i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, Rexhep Rraja është shpallur në kërkim nga policia lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Krujë, ku u dhunuan barbarisht dy persona nga fisi Maja, në një lokal.
Konflikt që më pas degradoi në përdorimin e shkopinjve të bejsbolli e shqelma.
Por djali i deputetit të PS, më herët është përfshirë në një tjetër ngjarje të dhunshme.
Rasti i Xhisiela Malokut ishte ai që bëri bujë dhe shkaktoi reagime të forta, pasi djali i deputetit të PS, u akuzua për dhunimin e të resë.
Kujtojmë se dhunimi i vajzës në atë kohë u bë publik, kur oficeri i policisë Emiljano Nuhu dëshmoi për dhunën e ushtruar ndaj vajzës së re dhe akuzoi policinë për neglizhencë.
Kujtojmë se ish-oficeri i Policisë, Emiljano Nuhu gjithashtu në atë kohë deklaroi se pas këtij denoncimi ishte kërcënuar më armë nga vëllai i deputetit të PS, Xhelal Rraja për të mbyllur dosjen.
Ndërsa në dëshminë e saj Xhisiela Maloku rrëfeu dhunën e ushtruar në një dhomë hoteli.
Ajo tregoi se është njohur me djalin e deputetit në vitin 2012, dhe kishte qenë e lidhur me të deri në vitin 2017.
Maloku po ashtu rrëfeu se konfliktet me ish të dashurin e saj, djalin e deputetit të PS, i kanë ardhur pas ndarjes.
Pjesë nga dëshmia e Xhisiela Malokut në 2018:
Në deklarimin që ka dhënë para oficerit të Policisë Gjyqësore Emiljano Nuhu, më datë 30 korrik të këtij viti, Xhisela Maloku shpjegon me detaje episodet e dhunës, përndjekjes dhe kërcënimeve nga ana e Rexhep Rrajës, djalit të deputetit Rrahman Rraja.
Gjithashtu, ajo shpjegon edhe arsyet pse në disa raste është detyruar nën presionin e dhunës, kërcënimeve verbale dhe me armë në kokë, të tërhiqet në momentet e fundit, sa herë që ka shkuar për të bërë kallëzim në disa komisariate policie.
Xhisela Maloku ka shpjeguar edhe arsyen pse i është drejtuar Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Durrës, sërish për të bërë kallëzim, edhe pse edhe në atë rast sërish është kërcënuar. Madje, gjatë gjithë kohës që ishte aty, ajo tregon se Rexhep Rraja e ka mbajtur pistoletën në brez.
Sipas saj, tek SHÇBA është paraqitur pasi është kërcënuar me jetë në zyrën e oficerit Gentjan Çitozi, ku kishte shkuar për të denoncuar Rexhep Rrajën, nga ky i fundit, babai i tij dhe 3 persona të tjerë, të afërm të tij.
Madje e kanë detyruar që të dilte nga zyra, edhe pse ajo thotë që nuk guxonte të dilte, sepse disa persona të tjerë ia bënin me shenjë se do ta vrisnin në rast se nuk e tërhiqte kallëzimin.
E pasi është detyruar të dalë, e kanë çuar te makina dhe e kanë goditur me grushte në bark e i kanë vënë pistoletën në kokë. “Nuk guxoja të dilja nga zyra e oficerit Gentjan Çitozi, se ishin disa persona të tjerë dhe ma bënin me shenjë që do të vrasim në qoftë se nuk tërheq kallëzimin. Personat rrinin në ambientet e Policisë Fushë-Krujë.Dua të shpjegoj që aty më morën një avokat dhe një psikologe kundër dëshirës sime dhe më thoshin:
“Ti je budallaçkë dhe do të firmosësh deklarimin që do të përpilojë oficeri Gentjan Çitozi, se është miku jonë”. Unë ndenja rreth dy orë duke mos e firmosur deklarimin, por ishte e pamundur se po më kërcënonin me pistoletë. Më nxirrnin jashtë zyrës dhe i thoshin oficerit: ‘Na e lër ne se e rregullojmë”, shprehet ajo në dëshmi.
DESHMIA E PLOTË
Isha te zyra e oficerit të SHKB-së në Durrës.
Pyetje: Kush të njoftoi që të paraqiteshe në Stacionin e Policisë në orën 20:00 të datës 21.07.2018 dhe të jepje deklarim?
Përgjigje: Rreth orës 20:00 ka ardhur te banesa ime, në fshatin Nikël, shtetasi Rexhep Rraja, Ramazan Rraja dhe shtetasi Redjan Rraja dhe më kanë marrë me zor duke më thënë: “Na hape punë. Për çfarë ke shkruar përsëri në Komisariatin e Policisë Nr.3 në Tiranë dhe na ke kallëzuar?” Unë e mohova dhe i thashë që nuk kam qenë në Polici. Rexhepi më kapi nga flokët dhe më gjuajti me shkelma e më futi në makinën e tij. Aty më thoshte: “Do e tërheqësh denoncimin ose do të të vrasim”. Më vendosi në bark pistoletën. E mbushi dhe më tha: “Sot nuk ke shpëtim se na ke hapur shumë punë, kurvë e mutit”.
Pyetje: Çfarë problemesh ke konstatuar te Policia e Fushë-Krujës?
Përgjigje: Ato që shpjegova më lart. Që më kërcënonin në zyrën e oficerit që unë të firmosja dhe ai s’i thoshte asnjë gjë.
Pyetje: Cili është numri i telefonit i shtetasit Rexhep Rraja?
Përgjigje: Numri që disponoj unë është 069 85 …. Nga ky numër ky shtetas më ka marrë dhe më ka folur në rregull, nuk më ka kërcënuar, por kërcënimet m’i ka bërë gjithmonë në numër privat.
Pyetje: A të kanë ardhur sms në telefonin tuaj nga shtetasi Rexhep Rraja, me përmbajtje kërcënimi?
Përgjigje: Kërcënimet m’i ka bërë gjithmonë nga afër ose më telefononte me numër privat.
Pyetje: Çfarë numrash kanë në përdorim shoqet e tua që kanë dijeni për problemin tuaj?
Përgjigje: Erisa S. disponon numrin e telefonit 069 …, Suada Z. 067 … . Këto të dyja janë shoqet e mia që kanë dijeni për problemet e mia
Pyetje: A keni gjë tjetër për të shtuar?
Përgjigjja: Nuk kam gjë tjetër për të shtuar.
Procesverbali pasi lexohet gjendet i rregullt dhe firmoset pa vërejtje!