Heronj të “luftës” me Covid-19, Lezha vlerëson bluzat e bardha të angazhuar në përballimin e pandemisë
Me një koncert të dedikuar dhe certifikata mirënjohje, Lezha vlerësoi mjekët dhe infermierët të angazhuar në përballimin e pandemisë së koronavirusit.
Lezha vlerësoi mjekët e angazhuar në përballjen me pandeminë e Covid-19.
Orkestra e shkollës së muzikës "Besëlidhja" në shenjë falenderimi për mjekët dhe infermierët mbajti një koncert, ndërsa Bashkia i vlerësoi me certifikata mirënjohje.
Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, vlerësoi punën e bluzave të bardha në këtë kohë të vështira që po jetojmë.
"Shërbëtorë të paepur të kësaj periudhe kaq të vështirë. Ne pavarësisht se nuk kemi qenë bashkë me ju e kemi ndjerë gjithë sakrificën, përkushtimin, punën e madhe që keni bërë, netët pa gjumë dhe gjithë kujdesin që keni treguar për të sëmurët duke shpëtuar me qindra jetë."
Drejtori i Spitalit Rajonal të Lezhës, Leon Kaza, thotë se periudha e pandemisë ka qenë e vështirë, por falë angazhimit maksimal deri tani situata është përballuar me sukses.
"Thonë që kohët e zymta kërkojnë veprime të ndritshme dhe unë mendoj që fatmrësisht këto kohë kemi pasur veprime të ndritshme brenda nesh. Kjo ka qenë një situatë e vështirë që ka kërkuar që secili prej nesh të nxjerrë më të mirën prej vetes."
Që prej nisjes së pandemisë e deri me tani, fatmirësisht në Lezhë nuk ka patur humbje jete në radhet e bluzave të bardha.
Covid 19 ka shkaktuar 117 viktima në Qarkun e Lezhës, ndërsa koronavirusin e kanë kaluar 9057 persona.


