Gruaja nga Skrapari u mbyt në përrua, policia e bëri publike vetëm pas publikimit nga Ilir Meta

Një ngjarje e rëndë është regjistruar rreth orës 11:00 të së Shtunës në fshatin Gjerbës në Skrapar.
Një 55-vjeçare ka gjetur vdekjen në ujërat e përroit të Tomorricës në fshatin Rehovë në rrethin e Skraparit.
Nuk dihet nëse gruaja është vetëhedhur në përrua apo e ka marrë rrjedha e tij në përpjekje për të kaluar në anën tjetër.
Edhe pse ngjarja ka ndodhur 24-orë më parë, Drejtoria Vendore e Policisë Berat nuk ka dhënë asnjë informacionin zyrtar për këtë ngjarje deri pak minuta më parë, e detyruar nga publikimi i lajmit në rrjetet sociale nga kryetari i PL-së Ilir Meta.
Sipas policisë, gruaja rezulton me probleme të shëndetit mendor dhe kishte kërcënuar disa herë se do të mbytej në lumë.
Mbi trupin e viktimës Sheqere Llahi është kryer edhe autopsia mjeko-ligjore, që nuk ka konstatuar shenja dhune.
Viktima ishte banuese në fshatin Gjerbës në Skrapar dhe pas largimit të saj nga banesa, bashkëshorti ka kryer menjëherë denoncimin në Komisariatin e Policisë Skrapar, por as ky informacion nuk është bërë publik nga policia, që tashmë deklaron se grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

