Gripi i shpendëve kërcënon pelikanin kaçurrel, ngordhin disa shpendë në anën greke të Prespës

Gripi i shpendëve ka prekur pelikanët kaçurrelë në Prespë në anën greke. Dhjetëra prej tyre janë gjetur të ngordhur, ndërsa institucionet në Shqipëri konfirmojnë se ky grip ende nuk ka hyrë në territorin tonë.

Dhjetëra shpend të llojit Pelikani Kaçurrel janë gjetur të ngordhur në anën greke të liqenit të Prespës.

Shkak për ngordhjen e pelikanëve është gripi i shpendëve që po përhapet në shtetin fqinj.

Sipas Agjencisë së Zonave të Mbrojtura në Korçë gripi i shpendëve ndodhet aktiv në anën greke ndërkohë që ende nuk është vënë re prezenca e këtij gripi në anën shqiptare.

"Kanë numëruar 600 pelikanë të ngordhur, kanë dërguar sinjalizim dhe kemi marrë masat tona . Jemi mobilizuar gjithë stafi për të bërë një monitorim të veçantë për këtë pjesë. Kemi marrë kontakt me banorët dhe frekuentuesit e liqenit për të parë nëse kemi pelikanë të ngordhur. Në këto dy javë nuk është konstatuar asnjë rast."

 

Edhe në liqenin e Ohrit ende nuk ka asnjë sinjalizim të gripit të shpendit.

"Edhe për Ohrin nuk kemi asnjë sinjalizim, edhe atje kemi filluar të bëjmë të njëjtën gjë, kryesisht në bregun e liqenit."

Në Shqipëri të mërkurën u ngritën dyshimet për këtë lloj sëmundje, pasi 200 000 pula kanë ngordhur në disa pulari, por Ministria e Bujqësisë ka sqaruar se ende nuk është identifikuar asnjë rast i gripit të shpendëve.

Sipas saj, nga analizat e kryera rezulton se pulat kanë ngordhur  nga sëmundja e Laringotrakeitit infektiv që nuk transmetohet te njerëzit dhe as nëpërmjet produkteve ushqimore nga shpendët, e për pasojë nuk përbën rrezik për shëndetin publik.

EMISIONET