"Godina në dispozicion të artit dhe kulturës"/ Rama dhe ministri Gonxhe në kantierin e Galerisë Kombëtare të Arteve: Po zgjerohet me hapësira të reja për ekspozita...

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar këtë të diel punimet në kantierin e Galerisë Kombëtare të Arteve, në Tiranë. Rama ishte i shoqëruar nga Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, të cilët janë njohur me ecurinë e deritanishme të punimeve. 

Ministri Gonxhja është shprehur se godina ka pasur probleme të rënda strukturore, pasi ishte ndërtim i viteve ‘70, por tashmë ajo po kthehet në një hapsirë të përshtatshme të ruajtjes së veprave dhe të dixhitalizimit. Gonxhja thotë se sipërfaqja e eventeve dhe aktiviteteve nga projekti është dhjetëfishuar, ndërsa shton se deri tani janë kryer 784 restaurime veprash.

“Jemi në faza të avancuara punimesh. Është kryer rreth 40% e punimeve, por është pjesa më komplekse që është kryer dhe pjesa që në preventiv ka zënë një vend më të vogël. Pjesa që vjen tani, montohet më shpejt dhe zë një vend më të madh në preventiv. Jemi në një moment të kënaqshëm të ecurisë së punimeve. Po punohet në të dyja objektet, në objektin e vjetër dhe objektin e ri. Kanë mbaruar gjithë përforcimet. Godina ka pasur probleme të rënda strukturore, ndërtim i viteve ‘70, por me të vërtetë ndërtuar shumë pa cilësi. Shumë punë për riforcimin.

Sipërfaqja e eventeve dhe aktiviteteve nga projekti është dhjetëfishuar me çfarë ka pasur mundësi të bënte Galeria e Arteve dikur. Sipërfaqja ekzopozuese mbi gati trefishuar. Sipërfaqja arkiva, konservim katër-pesëfishuar.” – shpjegoi Ministri Gonxhja, teksa theksoi ndër të tjera se po punohet me konservimin dhe restaurimin.

“Deri tani janë kryer 784 restaurime veprash. Paralel punohet me gjithë inventarin në mënyrë që të jemi gati që dhe me grupin këshillimor që e diskutuam për muzeimin, linjën muzeale dhe për  gjithë planin e menaxhimit të gjithë galerisë - tregoi ai. 

Nga ana e tij, Kryeministri Rama u interesua për detajet teknike të projektit, i cili parashikon një komunikim mes dy objekteve të vjetrit dhe të riut.

“Objekti i ri u shtua duke respektuar objektin e vjetër dhe duke mbajtur këtë galerinë e xhamit. Vizita fillon që nga objekti ekzistues dhe pastaj nëpërmjet urave kalojnë paralel sipas kateve drejt objektit tjetër, ku ka hapësira të tjera të shtuara. Dallohen disa tipologji ndërhyrjesh këtu, duke filluar që nga përforcimi dhe pastaj gjithë instalimet me radhë. Do rikthejmë skylight-et të cilat me kalimin e kohës kanë qenë të improvizuara dhe të mbyllura.”- shpjegoi përfaqësuesi i studios projektuese.

Gjatë inspektimit u tha gjithashtu se punimet në kantierin për Galerinë Kombëtare të Arteve, parashikohen të mbyllen në fund të këtij viti.

EMISIONET