GJYQI I DOSJES “VELIAJ”/ Nxjerrja e medieve nga salla dhe nevoja e të pandehurve për fshehtësinë e procesit. Çfarë e shqetëson Elman Abulen?

Sot nisi në Gjykatën e Posaçme procesi ndaj kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erjon Veliaj, bashkëshortes se tij Ajola Xoxën dhe 28 të pandehurve të tjerë, ku ndaj çiftit Veliaj –Xoxa rëndojnë 13 akuza penale si: korrupsion shpërdorim detyre, pastrim parash etj.

Por ajo që tërhoqi vëmendjen në seancën e sotme ishte fakti që i vetmi nga 30 të pandehurit, individë dhe shoqëri, të përfshira në procesin gjyqësor ndaj Erjon Veliajt që nuk pranoi kamera brenda seancës së parë të gjykimit në themel të dosjes në GJKKO, ndonëse gjyqi ishte i hapur, ishte biznesmeni kontravers i lidhur në korrupsion me kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Elman Abule.

“Nuk dua të filmohem”, deklaroi i pandehuri para togave të zeza, sipas raportimit të sotëm të gazetarit të “Ora News”, Edison Vatnikaj.

Por a ishte kjo një kërkesë që vjen nga nevoja e biznesmenit për të qëndruar diskret përgjatë gjithë procesit? Apo ishte nga frika se mos në seancë do të dilnin dhe prova dhe fakte të reja për të cilat ai nuk ishte përgatitur të mbrohej?

E ndërsa Abule nuk dha asnjë argument se pse media (në rastin konkret ishte “Ora News”, por herë tjetër mund të jenë të tjerë gazetarë që do iu ndalohet të ndjekin një gjyq), nuk do duhej të ishte në sallën e gjyqit, rasti në fjalë është një tregues i mënyrës se si do të vijojë zhvillimi i këtij procesi, në errësirë të plotë dhe pa asnjë lloj transparence për publikun, i cili ka të drejtë të informohet fundja për fatin e parave të tij të dyshuara të shpërdoruara dhe të vjedhura nga një zyrtar i lartë i shtetit dhe personave pranë tij.

Mbi këta të fundit, vlen të kujtojmë se Elman Abule është një personazh jo pak i njohur për publikun, i shumë-akuzuar si i përfshirë në dosjen hetimore të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, udhëtues me këtë të fundit edhe në Japoni, i akuzuar për dhjetëra miliona euro të sekuestruara që vinin nga vendet e BE.

Elman Abule është biznesmeni me shtetësi belge, të cilit iu sekuestruan 50 milionë euro. Sipas prokurorisë, nga hetimi i kryer u siguruan prova të mjaftueshme që krijonin dyshimin e arsyeshëm se Elman Abule në bashkëpunim me shtetas të tjerë kanë konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim.

Abule rezultoi i dënuar në Belgjikë, ku ka kryer edhe dënimin në kuadër të grupeve kriminale. Gjithashtu nga provat e administruara nga hetimi, ekziston dyshimi i arsyeshëm se Abule ka konsumuar edhe veprën penale të “Kontrabandës me mallra të licencuara”, parashikuar nga neni 173 i Kodit Penal.

Në kuadër të veprimtarisë së tij të paligjshme, Elman Abule ka themeluar një sërë shoqërish tregtare, me qëllimin të maskojë kryerjen e aktiviteteve të paligjshme nga ana e tij, me veprimtari të konsideruara si të ligjshme.

Nëpërmjet krijimit të një sërë kompanish, disa prej tyre nën administrimin edhe të shtetasve të tjerë, kanë krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të produkteve të veprës penale.

Në SPAK ka pasur një hetim. Elman Abule, i cili njihet si miku i ngushtë i kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, është i përfshirë në dosjen “Veliaj”.

Por pak javë më parë, “CNA” do të raportonte se në SPAK ka një tjetër dosje mbi Elman Abulen.

“Është një tjetër çështje, jo ajo e kryebashkiakut të Tiranës, tjetër kjo e hetimit”, sqaronte “CNA” në lajmin e saj.

Dhe teksa synohet të shmangen kamerat në seancat gjyqësore, pyetja që mbetet për të vërtetën e veprimtarisë së biznesmenit Elman Abule: a kemi një dosje të mbivendosur ndaj asaj të Veliajt ku Elman Abule rezulton i përfshirë?

EMISIONET