Gjykata e Lartë thërret në mbledhje urgjente të gjithë gjyqtarët e Shqipërisë pas ngjarjes së rëndë tek gjykata e Apelit
Pas vrasjes së gjykatësit Astrit Kalaja, Gjykata e Lartë ka thirrur një mbledhje me të gjithë gjyqtarët e Shqipërisë.
Përmes një njoftimi për shtyp, Gjykata e Lartë ka vënë në dukje nevojën urgjente për forcimin e sigurisë dhe respektimin e funksionit gjyqësor në një shoqëri demokratike.
“Pas dakordësisë së plotë të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe pas një takimi të zhvilluar me zëvendëskryetarët e të gjitha gjykatave të vendit, është vendosur që Kryetari i Gjykatës së Lartë të thërrasë një mbledhje të veçantë të gjithë gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë.
Mbledhja do të zhvillohet të enjten, më datë 9 tetor 2025, ora 10:00, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor”, thuhet në njoftimin për medie.
Kjo mbledhje do të shërbejë si një moment i rëndësishëm bashkimi dhe reflektimi për të gjithë trupën gjyqësore të vendit, në mbështetje të tre parimeve themelore që u theksuan qartësisht: Asnjë akt dhune nuk do ta përkulë drejtësinë; Asnjë kërcënim nuk do ta ndalë gjyqtarin të përmbushë me ndershmëri detyrën e tij; Asnjë presion politik apo publik nuk do të cënojë pavarësinë e gjykimit.
Gjykata e Lartë thekson se gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë do të qëndrojnë të bashkuar, me kurajë dhe vendosmëri, në mbrojtje të jetës dhe dinjitetit të tyre, si dhe të të drejtës së qytetarëve për një drejtësi të paanshme dhe të pavarur.
Në këtë moment të ndjeshëm, trupa gjyqësore i drejtohet opinionit publik me respekt dhe besim, duke rikujtuar se drejtësia nuk është armike e askujt, por përfaqëson mburojën më të fortë të qytetarëve ndaj padrejtësisë dhe dhunës.
“Ky është një moment që kërkon forcë, qetësi dhe unitet. Drejtësia shqiptare do të vazhdojë misionin e saj me dinjitet, besim dhe vendosmëri,” përfundon deklarata e Gjykatës së Lartë.

