Gjykata e Lartë nuk pranon rekursin për heqjen e sekuestros për inceneratorin e Tiranës

Gjykata e Lartë ka vendosur mospranim e rekursit për heqjen e sekuestros për inceneratorin e Tiranës.
Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK vendosi sekuestron preventive ndaj kompanisë “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k”, që është kompania koncesionare e inceneratorit të Tiranës si dhe të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të kësaj kompanie.
Vendimi u mor më datë 28 korrik 2023 nga Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndërsa mësohet se ekzekutua më 1 gusht 2023.
Njoftimi i sotëm i Prokurorisë së posaçme, vë në dukje se dy sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” dhe të impiantit të Tiranës, sikundër dhe në dy të tjerët në Ebasan dhe Fier.
Nga hetimet ka rezultuar se, Zoto dhe Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare. Prokuroria shpjegon se “është evidentuar fakti se dy sipërmarrësit, janë personat që kanë udhëzuar dhe kanë marrë vendimet në lidhje me shoqërinë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k. apo dhe shoqërinë mëmë në Holandë.
Sipas prokurorisë, dy sipërmarrësit kanë përfituar po ashtu afro 4 milion euro duke përdorur fatura të flasifikuara tatimore.
“Zoto ka paraqitur dhe ka deklaruar fatura të falsifikuara për punime të kryera nëpërmjet shoqërisë tjetër të tij “Integrated Technology Services” sh.p.k., si nënkontraktor i shoqërisë koncesionare të Tiranës. Në kohën e lëshimit të këtyre faturave të falsifikuara, provohet se aksionerë “de facto” kanë qenë Zoto dhe Mërtiri”, nënvizon Prokuroria.
Për këtë arsye, nën sekuestro, përveç shoqërisë koncensionare të impiantit në Tiranë, është vënë dhe kompania e Zotos, “Integrated Technology Services”, e cila ka një tjetër masë sekuestroje që prej vitit të shkuar, për rastin e Fierit.
Nën sekuestro preventive, është vendosur dhe një sipërfaqe prej 611 m2 me vlerë 1 milion euro, e cila është në emër të shoqërisë “F.M.O”. Sipas prokurorisë “është evidentuar fakti se Zoto dhe Mërtiri zotërojnë në mënyrë indirekte shoqërinë “F.M.O.” sh.p.k”, dhe se blerja e pasurisë për llogari të kësaj kompania është realizuar përmes të ardhurave të siguruara nga përfitime të paligjshme.
Gjashtë vjet pas nënshkrimit të kontratës, në kryeqytet funksionon vetëm landfilli, ndërsa inceneratori nuk ka nisur as të ndërtohet. Vënia nën sekuestro është akti i parë i ndërmarrë nga drejtësia për rastin e Tiranës, ndërsa për Elbasanin dhe Fierin, hetimet janë mbyllur dhe çështjet janë drejt përfundimit dhe në Gjykatën e posaçme të shkallës së parë.

