Gjuajti fqinji me çifte pas konfliktit, arrestohet 64-vjeçari në Lezhë

Policia e Lezhës ka parandaluar një ngjarje kriminale. Në pranga ka rënë një 64-vjeçar i cili qëlloi me armë gjahu në drejtim të fqinjit pas një konflikti të çastit por fatmirësisht pa i shkaktuar lëndime.
Në cilësinë e provës materaile iu sekuestrua arma e gjahut me municion luftarak.
"Shërbimet e Policisë, pas marrjes së njoftimit së në fshatin Rrilë, Lezhë, 2 fqinjë po konfliktoheshin me njëri-tjetrin dhe se njëri prej tyre kishte qëlluar me armë gjahu në drejtim të fqinjit tjetër, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë. Falë reagimit në kohë u bë i mundur parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar, shtetasit L. K., 64 vjeç, banues në Rrilë, Lezhë. Ky shtetas, pas një konflikti të çastit, ka qëlluar me një armë gjahu në drejtim të shtetasit M. J., banues në Rrilë, pa i shkaktuar lëndime" njoftoi policia.
Gjithashtu, u procedua penalisht dhe shtetasi M. J., për veprën penale “Prerja e drurëve dekorativë dhe frutorë”, pasi dyshohet se ka prerë pemët dekorative në pronësi të shtetasit L. K., në fshatin Rrilë, Lezhë.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.


