Gjobë ndërtuesve që braktisën pallatet, brenda një viti do mbarojë legalizimi në bregdet
Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka finalizuar legalizimin e disa objekteve pa leje në Vlorë.
Kreu i Kadastrës Shqiptare, Artan Lame dhe zv.Kryeministri Ahmetaj i kanë dorëzuar personalisht certifikatën banorëve të disa pallatave.
Lame u shpreh se vështirësia në këtë process ka qenë gjetja e një personi për ta ndjekur deri në fund dosjen.
"Problemi kryesor ka qenë gjetja e një personi që të ndjekë procedurat."
Zv.kryeministri Ahmetaj theksoi se për ata investitorë të cilët kanë braktisur punimet dhe nuk i kanë shërbyer deri në fund qytetarëve do të ketë penalitete.
"Do fusim në ligj që ata që kanë braktisur ndërtimet pa lejes dhe nuk i kanë shërbyer në bazë të ligjit procesit të qytetarëve deri në fund praktikisht ata si emra të përfshirë në kompani apo kompanitë e tyre të mos marrin dot më leje nga bashkitë."
Gjithashtu Ahmetaj tha se shumë shpejt do të bëhet dhe certifikimi i të gjithë vijës bregdetare.
"Për 16 muaj do kemi mbaruar me gjithë pjesën e bregdetit nga veriu në jug duke përfshirë dhe Vlorën dhe më pas do fillojmë dhe me qytetet e tjera. Kjo do i japë fund gjithë rrëmujës që trashëguam ne."
Banorët, shtëpitë e të cilëve janë legalizuar, do të duhet të presin 30 ditë për të marrë certifikatën e pronësisë.


