Gjiknuri për Skavicën: Edi Rama nuk hodhi 300 mln me përmbyt Dibrën, mos i bini të mirës me shkelm
Partia Socialiste ka përmbyllur fushatën në qytetin e Dibrës. Sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri, ka kërkuar votën e dibranëve për kandidatin e mazhorancës Rahim Spahia me kusht që në këtë zonë të vijojnë investimet e qeverisë Rama. Gjiknuri në fjalën e tij hodhi poshtë akuzat e ish-kryeministrit Berisha që projekti i Skavicës do të përmbytë Dibrën.
Partia Socialiste mbylli sot në Dibër fushatën për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, që do të zhvillohen në 6 bashki në vend.
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, teksa kërkoi votën për kandidatin socialist, Rahim Spahiu, tha se zhvillimi i zonës nuk mund të vijë me Lulzim Bashën dhe Sali Berishën.
Ai kujtoi se PS mbajti premtimin për Rrugën e Arbrit dhe se qëllimi i tyre është që ta çojnë deri në Peshkopi.
"Premtuam që do e bënim Rrugën e Arbrit dhe u bë realitet falë votës suaj. Rruga nuk do përfundojë me kaq, jeni para një testi, ta vazhdojmë deri në Peshkopi atë rrugë. Me kë do vazhdojë me bravën dhe anti-bravën, apo me Rrahimin tuaj? Ai është një qytetar që do e bëjë detyrën vetë, pa i ndenjur njeri mbi kokë dhe ai i ka dhënë provat që ka ditur ta administrojë pushtetin e tij shumë mirë. Që projektet në Dibër të vazhdojnë, vota për Rrahimin duhet të jetë masive".
Jashtë vëmendjes nuk la as projektin e Skavicës, i cili është sulmuar në mënyrë të vazhdueshme gjatë fushatës nga ish-kryeministri Berisha.
"Gojët e liga që thonë Skavica do përmbysë Dibrën, u them se projekti do konsultohet me popullin. Nuk ka projekt që tu bëjë dëm njerëzve. Së dyti Edi Rama nuk hodhi 300 mln euro me përmbyt Dibrën. E bëri ta nxjerrë siç e meriton dhe ta kthejë në vlerat më të mira historike."
Duke nënvizuar se nga Dibra fillojnë mesazhet e mëdha, Gjiknuri tha se dibranët dinë të orientohen drejt dhe i ftoi të mos i bien të mirës me shkelm.
"Me 6 mars do orientoheni drejt. Vota për Rahimin dhe PS është votë për garancinë e zhvillimit të Dibrës".
Të dielën do të zhvillohen zgjedhjet vendore në 6 bashki, përkatësisht në Dibër, Shkodër, Vorë, Rrogozhinë, Lushnjë dhe Durrës.

