Gjermania legalizon kanabisin, mjekja Dollenberg: Ligji mund të ç’aktivizohet në çdo moment. Është një mënyrë për t’i ekspozuar përdoruesit
Kanabisi do të jetë i ligjshëm në Gjermani nga 1 prilli 2024. Rregullorja e re e planifikuar parashikon lejimin e blerjes së kanabisit në një masë të kufizuar maksimumi 25 gramë në ditë, përmes shoqatave jo-tregtare.
Për të kuptuar më shumë nga ky vendim i qeverisë gjermane mjekja Aurora Dollenberg në një lidhje skype nga Gjermania në studion e lajmeve në “Ora News” shpjegoi dhe mënyrën se si do të funksionojë kjo nismë.
Ajo tha se mbajtja dhe konsumimi i kanabisit do të mbetet i ndaluar për të rinjtë nën moshën 18 vjeç.
Deri më tani janë lejuar tre bimë për kultivim në shtëpi, ndërsa shtoi se ky debat ka sjellë shumë pakënaqësi dhe rezistencë ndaj partive.
“Është një legalizim tejet i kontrolluar dhe një mesazh për të gjithë të rinjtë deri në moshën 19 vjeç që janë dhe grupmosha që e konsumon më shumë.
Është një ligj eksperimental dhe që mund të tërhiqet në çfarëdo kohe. Ligji parashikon që një person të mbajë deri në 50 gramë kanabis për përdorim vetjak, dhe që çdo qytetar gjerman mund të mbjellë në vazo lulesh deri në 3 bimë.
Kjo bëhet që kanabisi të jetë i kultivuar në kushte biologjike të shëndetshme dhe të mos jetë produkt i përpunimit nga grupet kriminale.
Pavarësisht debateve që ka pasur mes klasës politike, është vënë re se ka pasur një dyfishim të përdorimit të kanabisit.
Kjo është dhe një mënyrë për t’i ekspozuar para syve të të gjithëve përdoruesit e kanabisit dhe për t’i parë sa më mirë efektet që përdorimi i kësaj jep”, theksoi mjekja Aurora Dollenberg.
Ligji
Sipas mediave gjermane legalizimi i kanabisit do të bëhet që të minojë tregun e zi, të mbrojë ata që e konsumojnë nga kanabisi i kontaminuar dhe të shkurtojë rrjedhat e të ardhurave për bandat e krimit të organizuar.
Afër 4.5 milionë gjermanë vlerësohet se përdorin kanabisin. Gjermania bëhet shteti i nëntë që legalizon përdorimin rekreativ të kësaj droge, që po ashtu është legal në disa shtete të Shteteve të Bashkuara dhe Australi.
Shumë shtete lejojnë që kanabisi të përdoret për qëllime shëndetësore. Kanabisi vazhdon të jetë i jashtëligjshëm për minorët dhe kjo drogë nuk mund të konsumohet afër shkollave dhe këndeve të lojërave.