Gjashtë ngarkesa kokainë mes bananeve. Eduard Dauti firmos nga arratia vendimet për “Alba Exotic Fruit”

Historia e kompanisë “Alba Exotic fruit” në kontejnerët e së cilës janë kapur 6 herë ngarkesa me kokainë përbën një rast të paprecedentë dhe tregues dështimi për autoritetet ligjzbatuese

Me administratorin, Eduard Dauti në kërkim ndërkombëtar dhe Menaxherin Bajron Gumeni në burg si të dyshuar për trafik droge në kuadër të grupit kriminal, kompania po lejohet të vijojë aktivitetin normalisht.

Në krye të punëve tani qëndron Ermal Arapi, i cili  u ndalua më 12 tetor 2021 pasi në kontejnerët e kompanisë u kapën 10 kg kokainë.

Ai është shtuar si administrator më 7 Korrik 2021 në mbledhjen e asamblesë së Firmës “Alba Exotic Fruit”

Por autorizimi për regjistrimin e tij si administrator është firmosur nga Ermal Arapi më 21 korrik, kohë kur Dauti rezultonte në kërkim ndërsa Bajron Gumeni ishte në burg.

Firma me bojë të njomë ngre dyshime se Eduard Dauti në atë kohë mund të ketë qenë ende në Shqipëri, ose dikush ia ka dërguar dokumentin në vendin ku ai i fshihet drejtësisë shqiptare.

Ndërsa vetë Ermal Arapi,  rezulton se ka autorizuar shtetasen Oksana Kajo që të kryejë veprime në emër të administratorit.

Në dëshminë e parë në Policinë e Durrësit, ashtu si drejtuesit e tjerë të kompanisë Arapi ka mohuar përfshirjen në trafikun e drogës dhe ka akuzuar se drogën në kontejnerët e tyre me babane po e fusin të tjerë persona për arsye konkurrence.

Nga korrriku deri në tetor në kontejnerët e Firmës “Alba Exotic Fruit”, janë gjetur 5 ngarkesa me kokainë me peshë rreth 40 kg në total.

E fundit ishte nisur më 3 shtator nga Guadayaquil. Më 28 shtator kishte mbërritur në  Pire, ndërsa në Durres ka mbërritur më 4 tetor.

Emri kompanisë 'Alba Exotic Fruit' për herë të parë është përfshirë në trafikun e drogës në vitin 2019, kur në kontejnerët e saj u gjetën 137 kg kokainë që u zëvendësua me oriz me GPS nga DEA Amerika në Pire të Greqisë.

EMISIONET