Gazment Oketa: Basha ka humbur të drejtën morale për të drejtuar PD
Ish-deputeti i PD Gazment Oketa, shprehet se për përçarjen ekstreme që është krijuar në PD, fajtor është Lulzim Basha por edhe ish-Kryeministri Sali Berisha.
Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, Oketa thekson se Basha dhe Berisha, po mundohen ta zgjidhin situatën me kokëfortësi dhe jo me qetësi ashtu si duhet.
Gazment Oketa: Misioni i një politikani, është që të bëjë atë grupim politik që të funksionojë. Situata që është krijuar në PD, kjo përçarje ekstreme dhe një polarizim të tillë që nuk ishte parë ndonjëherë, mban përgjegjësinë e dy aktorëve kryesorë. Berisha nuk mund t’I shmanget përgjegjësisë për situatën e krijuar sot. Të dy po përpiqen ta zgjidhin me kokëfortësi dhe jo me qetësi, bazuar në rregulla loje, statut, në një objektiv final që duhet të jetë bashkimi i PD.
Oketa thotë se situata paradoksale e krijuar është një luftë për pushtet që sipas tij të humbur nga kjo përplasje do të dalin anëtarët e thjesht të PD.
Gazment Oketa: Basha dhe Berisha flasin për një PD më të bashkuar më të unifikuar por praktikisht nuk duket një situatë e tillë. Unë kam marrë pjesë në Kuvendin e 11 dhjetorit, dhe në gjykimin tim, ai Kuvend duhet të kishte një ose dy pika. Pika kryesore duhet të ishte që të gjendeshin mekanizmat statutor në dallim nga Basha, i cili akuzohet për shkeljet stututore që pika e parë të iniciohej procedurat e shkarkimit të Bashës, dhe pika e dytë duhet të ishte dhënia kohë strukturave të PD, me një grup edhe më të vogël se ai që u krijua.
Këtë situatë e gjykojë paradoksale, realisht duket si një luftë për pushtet. Gjykoj se kjo luftë i shërben interesave të tyre. Ata që e pësojnë nga përplasjet e mëdha janë anëtarët e thjesht të grupimeve politike apo elektorati kur bëhet fjalë midis subjekteve politike.
Për Oketën Basha ka humbur totalisht të drejtën morale për të drejtuar PD
Gazment Oketa: Nuk do jem në aktivitetin e datës 18. Basha ka humbur totalisht të drejtën morale për të drejtuar PD. Këtë nuk e lidh me vendimin e tij për të përjashtuar Berishën. Basha nuk do duhet të rikandidonte për një herë të tretë, ose minimalisht duhet t’u ofronte demokratëve një garë më korrekte, më gjithëpërfshirëse, jo në garë me nxitim.

