Gazetarja shqiptare raporton nga Turqia, Aida Topalli: Ja si është situata 1 javë pas tërmetit

Kur ka kaluar një javë nga tërmeti tragjik në Turqi, bilanci i viktimave nën rrënoja sa vjen dhe rritet, ndërkohë situata pas tërmetit paraqitet edhe më e rëndë.

Qytete të tëra të rrënuara, mijëra fëmijë të mbetur jetimë dhe miliona njerëz që vuajnë nga mungesa ushqimore.

Në një lidhje me skype, gazetarja Aida Topalli solli informacionet më të fundit në emisionin “Ditë e Re” në RTV Ora se si është gjendja tanimë në Turqi.

“Ka me mijëra persona të angazhuar në operacionet e kërkim-shpëtimit. Edhe pse ka shumë familjarë që presin nga jashtë me shpresë që të afërmit të tyre të mund të dalin të gjallë nga rrënojat, në fakt tashmë është e pamundur të shpresosh për të mbijetuar pas kësaj periudhe.

Duket se çdo gjë është e shkatërruar, dhe ato ndërtesa që kanë mundur të qëndrojnë në këmbë mund të themi se janë krejtësisht të pabanueshme. Janë të goditura që në strukturë, pra që në themel.

Në një tragjedi të përmasave të tilla nuk ka shtet në botë që t’ia dalë, edhe pse duhet thënë që angazhimi dhe mobilizimi për rimëkëmbje është i madhe”, u shpreh gazetarja shqiptare nga Turqia, Aida Topalli.

EMISIONET