Gazetari afgan në Tiranë: Më merr malli për vendin tim por këtu jemi të lumtur
Godinat e Qytetit Studenti kanë filluar të popullohen me rreth 300 shtetas afganë. Një gazetar që ndodhet në grupin e mbërritur në Shqipëri tha se ata nuk do të qëndrojnë gjatë këtu pasi në një fazë të mëvonshme do të vendosen në një shtet tjetër. Numri i shtetasve të huaj të cilët kanë mbërritur në vend deri tani është 607, ndërkohë që strehimi i tyre është bërë edhe në hotele në Durrës dhe Shëngjin.
Shtetasit afganë të strehuar në Qytetin Studenti duket se kanë lënë pas skenat e luftës në vendin e tyre dhe po përpiqen të ndërtojnë një jetë të re në Shqipëri.
Strehimi i një pjesë të tyre është bërë në godinat 11 dhe 12 në Qytetin Studenti, ku po qëndrojnë rreth 300 shtetas afganë.
Autoritetet shtetërore po zbatojnë të njëjtat procedura kontrolli si me grupet e ardhura në fillim të procesit.
Pasi regjistrohen në postën policore të Qytetit Studenti ata dërgohen në mensë dhe më pas në godinat e qëndrimit.
Një prej të ardhurve ka punuar si reporter në Afganistan. Ai u zhvendos në Shqipëri sëbashku me familjen ku falenderon popullin shqiptar për mikpritjen, teksa shton se pas qëndrimit këtu do të udhëtojë në një shtet tjetër.
"Unë erdha në Shqipëri, dua të falenderoj njerëzit shqiptarë, qeverinë shqiptare për mbeshtjen e tyre. Njerëzit nga Afganistani së fundmi pasi erdhën talibanët ishin të alarmuar, në këtë mënyrë disa vende mund të na mbështesin. Ne erdhëm dje, mendoj që mbase për një muaj mund të qëndroj. Profesioni im ishte gazetar, reporter, prej 15 vitesh dhe kam qenë duke punuar për qeverinë e fundit të Afganistanit.
Tani talibanet janë ekzistent, njerëzit në Afganistan nuk duan të jetojnë në qeverinë talibane sepse ato përdorin dhunën, vrasin njerëzit, shkatërrojnë të gjithë projektet e Afganistanit.Mua me mungon Afganistani por jam i lumtur këtu në Shqipëri.
I gjithë perimetri i sigurisë në godinat 11 dhe 12 është i rrethuar me forca të policisë, teksa në afërsi të saj ndodhen edhe autoambulancat që u vijnë në ndihmë personave të sëmurë.
Përveç godinave në Qytet Studenti, një hotel në Durrës dhe një në zonën e Shëngjinit ka pritur të tjerë afganë të mbërritur me avion në Rinas.
Për shkak të kushteve të përmirësuara të motit, 123 shtetasit afganë të strehuar në Shëngjin shijuan rrezet e diellit përgjatë bregut të detit.


