Gati Kodi i ri Penal, ministri i Drejtësisë: Për konsultim publik në fillim të vitit 2024
Kodi i ri Penal është gati dhe drafti do i nënshtrohet konsultimit publik në fillim të vitit 2024.
Në një deklaratë për mediat Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja garantoi se parashikimet e reja ligjore do adresojnë kategoritë e veprave penale me ndjeshmëri të lartë sociale.
Drafti i Kodit të ri penal është gati.
Konfirmimi vjen nga vetë ministri i drejtësisë Ulsi Manja, sipas të cilit është në përputhje të plotë me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
“Legjislacioni të ndjekë hapin e kohës. Kodi i ri Penal, drafti I të cilit me fillimin e vitit të ri do i nënshtrohet konsultimit publik, një prej hapave më të rëndësishëm. Do garantojmë se parashikimet e reja ligjore, të adresojnë me përqasje të përforcuar ndëshkuese të gjitha kategoritë e veprave penale me ndjeshmëri të lartë sociale dhe pasoja të shtuara për shoqërinë, si për shembull: dhuna në familje apo dhuna me bazë gjinore.”
Në fillim të vitit 2024 ky draft do të jetë gati për konsultim publik.
“Sot lind nevoja të ndryshojmë disa dënime drejt një qasje më pak represive për veprat penale që sjellin pasoja të lehta, duke marrë në konsideratë edhe përvojat më të mira të vendeve të BE-së. Këto ndryshime ligjore e të tjera të planifikuara në vijim, busulla jonë mbetet ruajtja dhe avancimi i qasjes inovatore që Kushtetuta jonë përqafoi me vendosjen si taban kushtetues standardet e konventës evropiane të të drejtave të njeriut.”
Teksa nuk dha detaje për përmbajtjen e kodit të ri penal, Manja theksoi se parashikimet e reja ligjore adresojnë me përqasje të përforcuar ndëshkuese të gjitha kategoritë e veprave penale me ndjeshmëri të lartë sociale si dhuna në familje apo dhuna me bazë gjinore.

