FOTO+VIDEO/ Ky është 29-vjeçari që u vra mbrëmë në Durrës
Publikohet fotoja e viktimës së atentatit të mbrëmshëm në qytetin e Durrësit.
Ermir Dedja sapo kishte zbritur nga automjeti i tij kur autorët, ende të paidentifikuar, i zunë pritë dhe e qëlluan me breshëri kallashnikovi.
I riu ishte me origjinë nga Shijaku, por jetonte në Durrës. Ai kishte jetuar kohët e fundit në Gjermani, ku dyshohet se ishte i përfshirë në veprimtari kriminale.
Më datë 20.05.2025, në orën 00:50, në lagjen nr. 18 Durrës, është qëlluar me armë zjarri shtetasi E. D., 29 vjeç, i cili ka humbur jetën në spital.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe po vijojnë kontrollet për kapjen e autorit/ve.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
HETIMET

Policia e Durrësit ka ngritur dy pista hetimi në lidhje me atentatin ndaj 29-vjeçarit: atë të konfliktit për prishje pazaresh në fushën e narkotikëve dhe atë të larjes së hesapeve.
Ermir Dedja, me origjinë nga Shijaku dhe banor i lagjes nr. 11 në Durrës, është person me precedent penal, pasi është arrestuar më herët për dy ngjarje: fillimisht në vitin 2015 për trafikim të lëndëve narkotike dhe më pas në vitin 2017 për përkrahje të autorit të një plagosjeje në qytetin e Shijakut.
Kohët e fundit, Dedja dyshohet se ishte i përfshirë në një grup kriminal në Durrës.
Sipas policisë, ai dyshohet se ka rënë në pritë në lagjen nr. 18 të Durrësit, teksa po shkonte të takonte disa shokë të tij.
Grupi hetimor nuk ka gjetur gëzhoja në vendin e ngjarjes, çka ka bërë që ekspertët e kriminalistikës të mendojnë se kemi të bëjmë me vrasës profesionistë, të cilët dyshohet ta kenë qëlluar 29-vjeçarin nga një automjet, ndërsa ky i fundit ishte duke lëvizur në këmbë.
Policia ka sekuestruar disa kamera sigurie në zonën ku ndodhi ngjarja dhe ka ngritur postblloqe në pika të ndryshme të qytetit. Oficerët e policisë gjyqësore nuk kanë gjetur gëzhoja në vendngjarje, ndërsa dy autorët janë larguar me makinë.



