FOTO-a*matimi/ Kallashë, thasë me drogë, prokuroria e Tiranës mbyll sytë para provave të gjetura në telefonin e Redion Ahmetit

FOTO-a*matimi/ Kallashë, thasë me drogë, prokuroria e

Një tentativë vrasje me armë zjarri, e ndodhur në muajin Korrik 2024 në fshatin Shpërthet të Fushë-Krujës, është bërë shkak i kryerjes së veprimeve të dyshimta abuzive gjatë fazës hetimore, ku dy persona duket se janë shmangur nga përgjegjësia penale, duke u lënë të lirë.

Fotografi me armë të ndryshme, me disa thasë me hashash si dhe me simbole të Policisë së Shtetit, janë gjetur në një telefon të sekuestruar dhe nuk është marrë asnjë masë verifikimi.

Megjithëse provat ishin domethënëse dhe të mjaftueshme për të ngritur disa akuza penale, në fund të hetimit ka rezultuar se Redion Ahmeti, djali i një punonjësi polici rrugore, Sahit Ahmetit dhe Gazmir Ahmeti, janë përjashtuar nga ndjekja penale.

Një dukuri kjo që është parë shpesh herë me drejtësinë e re, ku përgjegjësia penale në shumë raste mbetet jetime.

Sipas dokumenteve të siguruara nga gazetari Elton Qyno, rezulton se manipulimet dhe mos kryerja e hetimeve të thelluara për personat e dyshuar në vepra penale, është bërë në procedimin me Nr.4842.

Kjo dosje është regjistruar në prokurorinë e Tiranës mbi bazën e materialit referuar të përcjellë nga policia e kryeqytetit, e cila ka kryer veprime hetimorë, mbi një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në 25 Korrik 2024 në fshatin Shpërthet të Mamurrasit.

Sahit Ahmeti, me detyrë punonjës policie rrugore, pranë Komisariatit të Policisë Krujë, Ardian Ahmeti, dhe disa personave të tjerë lidhje të tyre të ngushta familjare kanë debatuar dhe janë konfliktuar fizikisht me vëllezërit Fatos Sela dhe Ylli Sela, për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me pronësinë e një sipërfaqe toke.

Konflikti midis tyre, ka vijuar në përdorimin e armëve të zjarrit ku si pasojë e të shtënave kanë mbetur të plagosur nga njëra palë punonjësi i policisë Sahit Ahmeti, Adrian Ahmeti dhe nga pala tjetër Fatos Sela, të cilët më pas janë transportuar për të marrë ndihmë më të specializuar mjekësore në Spitalin e Traumës, Tiranë.

Referuar raportit të shërbimit, rezulton se në momentin që i dëmtuari, Sahit Ahmeti, me detyrë punonjës policie, ka mbërritur në Spitalin Universitar të Traumës, Tirane, nga familjaret e tij, dhe konkretisht Ledion Ahmeti, ka dorëzuar armën e shërbimit, pistoletë “BERETA”, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Në këtë ngjarje kanë mbetur të plagosur dhe dy vëllezërit Fatos Sela dhe Ylli Sela. Policia kriminale ka shkuar në vendngjarje duke kryer dhjetëra veprime hetimore, sekuestrimin e sendeve/provave dhe shoqëruar disa persona në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë.

Mes personave që janë shoqëruar është dhe djali i punonjësit të policisë, Sahit Ahmeti, shtetasi Redion Ahmeti dhe Gazmir Ahmeti. Redion Ahmeti, është marrë në pyetje dhe më pas rezulton ti jetë sekuestruar aparati i telefonit.

Njëherësh Gazmir Ahmeti, është marrë në pyetje dhe policia i ka marrë faktorë plotësues të qitjes me qëllim kryerjen e ekspertimit kimik për evidentimin e gjurmëve të barutit.

Gjatë këqyrjes së aparatit të telefonit nga oficeri i policisë Gjyqësore, Elvis Shkjau, ky i fundit ka konstatuar se Redion Ahmeti përdor armë të kalibrave të ndryshëm, posedon drogë dhe gjithashtu për simbole të Policisë së Shtetit.

Proces-verbali i këqyrjes së telefonit i bërë në muajin Tetor 2024 i është përcjellë për vlerësim dhe hetim prokurorisë së Tiranës, e cila nuk ka kryer asnjë veprim për të thelluar hetimet në këtë drejtim.

Dukshëm sipas fotove, Redion Ahmeti, rezulton se përdor armë automatike kallashnikov, pistoleta, shotgun dhe disponon thasë me lëndë narkotike hashash. Por njëherësh ai përdor dhe simbole të Policisë së Shtetit, që është një tjetër vepër penale.

Provat dhe videon e sekuestruara në telefonin e tij, ishin shkak dhe indicia e fortë për të thelluar hetimet në këtë drejtim me qëllim gjetjen e sendeve dhe ngritjen e akuzave penale ndaj Redion Ahmetit.

Për arsye ende të paqarta ai është përjashtuar nga ndjekja penale nga prokuroria. E njëjta metodikë pasiviteti në fazën hetimore është kryer edhe me kushëririn e Redion Ahmetit, shtetasin Gasmir Ahmeti.

Përmes aktit të ekspertimit me Nr.5683 të kryer nga eksperti Nikolin Duraj, i Institutit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, ka rezultuar se:

“…se në dorën e majtë të personit Gazmir Ahmeti, në lidhje me ngjarjen e datës 25 Korrik 2024, ku është plagosur shtetasi Sahit Ahmeti, u evidentua prania e pjesëve të migrogrimcave karakteristike me përmbajtjen e 3 elementëve kimik, me prejardhje nga lënda mbushëse e kapsollës së fishekut të armës së zjarrit…”.

Pavarësisht kësaj prove shkencore, ku provohet se Gazmir Ahmeti ka përdorur armë në këtë ngjarje kriminale, ndaj tij nuk është ushtruar asnjë ndjekje penale. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me mikun e tij, Redion Ahmeti.

Lidhur me këtë ngjarje të rëndë prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur vetëm 4 persona, siç janë shtetasit Fatos Sela, Ylli Sela, Ardian Ahmeti dhe Sahit Ahmeti.

Ndërsa dy personat e tjerë Redion Ahmeti dhe Gazmir Ahmeti nuk kanë asnjë akuzë penale, megjithëse situata e provave ndaj tyre nuk është favorizuese. Një dukuri kjo që është parë shpesh herë me drejtësinë e re, ku përgjegjësia penale në shumë raste mbetet jetime.

Lidhur me këtë ngjarje pak muaj më parë në fund të procesit gjyqësor përfaqësuesi i prokurorisë i kërkoi gjykatës deklarimin fajtor dhe dënimin me 15 vjet burgim për të pandehurin Ardian Ahmeti, për akuzën e “Vrasjes me dashje” të mbetur në tentativë dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”.

Deklarimin fajtor dhe dënimin me 6 vite burgim të punonjësit të policisë rrugore Sahit Ahmeti, për akuzën e “Plagosjes së rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim.

Ndërsa për të pandehurin tjetër Ylli Sela, prokuroria kërkoi pushimin e akuzës për “Vrasje me dashje” të mbetur në tentativë.

Pas dëgjimit të konkluzioneve të mbrojtësve dhe pretencës së prokurorisë, gjykata e Tiranës vendosi dënimin me 9 vite burgim të Ardian Ahmetit. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar ai u dënua përfundimisht me 6 vite burgim.

Ndërsa punonjësi i policisë rrugore Sahit Ahmeti, u dënua me 5 vjet burgim. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar gjykata e dënoi përfundimisht me 3 vjet e 4 muaj burgim. Por edhe këtë masë dënimi ia kaloi në shërbim prove që të mos kryejë asnjë vepër penale për një periudhë kohore 3 vjeçare.

Tashmë çështja ka mbërritur në prokurorinë e Apelit të Tiranës./ SYRI

EMISIONET