"Forcat e Armatosura janë hallka e fundit", Peleshi thirrje bashkive të jenë vigjilente ndaj zjarreve

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka apeluar edhe njëherë bashkitë e vendit të marrin përgjegjësitë dhe të jenë më vigjilentë për parandalimin e zjarreve në zonat që kanë brenda territorit të tyre.

Duke folur nga Kolonja, Peleshi nënvizoi se pushteti vendor nuk duhet të mbajë shpresa vetëm te ushtria, duke nënvizuar se është hallka e fundit kur u shterojnë të gjitha mundësitë.

Peleshi: Po hymë në ditët e nxehta të verës edhe siç e paralajmëruam fatkeqësisht do të jetë një verë po aq e nxehtë sa e vitit të kaluar në mos me e nxehtë me temperatura të larta. Shfrytëzoj këtë mundësi për të ripersëritur apelin në radhë të parë ndaj komuniteteve dhe njësive vendore të cilat janë edhe përgjegjëse për të ruajtur dhe administruar territorin e tyre.

Ka shumë rëndësi që të sinjalizojnë në kohë, bashkinë, shërbimin zjarrfikës sepse shpesh herë e kemi dhe nga eksperienca tani që aty ku bashkitë apo komunitetet vendore kryepleqtë janë më të vëmendshëm më bashkëpunues nuk kemi zjarre të mëdha sepse sinjalizohen në kohë, aty ku flenë gjumë natyrisht pastaj e dini sesi përfundon historia kur flakët marrin malin kërkohet helikopteri. Për ta shëruar pak mentalitetin se duhet helikopteri për të fikur flakët ju bëj apel të gjithë kryetarëve të bashkive të jenë në krye të detyrës nuk ka pushime për kryetarët e bashkive sidomos ata që janë në bashkitë më të kërcënuara s'ka pushime as për Forcat e Armatosura as për ministrinë e Mbrojtjes. Kur shterojnë mundësitë e bashkive pa dyshim Forcat e Armatosura si gjithmonë janë forca vendimtare.

Ju përmendët 9 vatra zjarri, treçereku i tyre janë fikur me ndërhyrjet e bashkive dhe forcave tona. Për momentin kemi një vatër serioze në Krujë aty kanë shkuar 60 forca nga Forcat e Armatosura, po punohet për  një perimetër goxha të gjatë zjarri të krijuar nga era. Shpresojmë të vendoset nën kontroll.

Unë nuk dua t'ju rreferohem gjithmonë bashkive pasi duket sikur heq përgjegjësitë, por duhet thënë e vërteta. FA janë hallka e fundit nëse zjarrfikëseve, bashkisë ju shterojnë mundësitë pastaj futen FA, nuk mund të jetë kështu si jemi mësuar deri tani.

Diku degjohet fjala ime nga ana e kryetarëve, diku funksionon më mire, dikush dëgjon më shumë nuk dua të them që nuk ka përgjegjshmëri nga ana e bashkive por s'mjafton vetëm përgjegjshmëria duhet edhe organizimi, duhet që të bëjnë të përditshme takimet me kryepleqtë e fshatrave, ti sensibilizojnë, t'ju japin numra telefoni të tregojnë sesi duhet njoftuar, të kenë shërbim monitorimi për zonat me bimësi të dendur dhe të sinjalizojnë më kohë dhe të ndërhyjnë në kohë. Asnjë zjarr nuk merr përmasa të mëdha nëse funksionon sistemi i monitorimit.

EMISIONET