Fluks infeksionesh respiratore, mbi 200 fëmijë në ditë në urgjencën e Pediatrisë

Fluks infeksionesh respiratore, mbi 200 fëmijë në ditë

Shefi i Urgjencës Pediatrike pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Albert Lama shprehet se mbi 200 fëmijë në ditë marrin shërbim në urgjencën e Pediatrisë.

Për shkak të uljes së temperaturave, sezoni i vjeshtës sjell një fluks të shtuar të infeksioneve respiratore virale, probleme gastrointestinale etj.

Lama tha se në urgjencën e Pediatrisë në QSUNT ka një fluks ditor prej më shumë se 200 fëmijë në ditë.

“Problemet më të shumta te moshat pediatrike janë ato që prekin aparatin respirator, gjë që çon në probleme me kollën, ftohjen, temperaturë etj. Kjo nuk do të thotë që nuk kemi probleme gastrointestinale, domethënë të shoqëruara me bark dhe të vjella. Çdo ditë në Pediatrinë e QSUNT-së ka një fluks prej më shumë se 200 fëmijësh, nga të cilët 15% e rasteve që kërkojnë trajtime me protokolle specifike”, tha Lama.

Lama tha se për fëmijët që shtrohen në urgjencën pediatrike, ndiqet një protokoll mjekësor në varësi të diagnozës deri në shërimin e plotë të tyre.

Një ndër këshillat që shefi i Urgjencës Pediatrike ka për prindërit, është që ata të mos nxitojnë për në spital që në temperaturën e parë të fëmijës, por të ndjekin sistemin e referimit me mjekun e lagjes, poliklinikën e lagjes dhe në fund në spital.

Shefi i urgjencës pediatrike shton se numri i vizitave ditore pritet të rritet në janar dhe shkurt, kur është edhe kulmi i sezonit të virozave.

Sipas Lamës, “grup-moshat pediatrike më të riskuara janë mosha latante deri një vjeç dhe mosha deri në katër vjeç. Kjo nuk do të thotë se grup-mosha më e madhe nuk preket apo rrezikohet nga infeksionet virale, por përgjigjja imunitare është më e mirë, që bën të mundur një simtomatologji më të lehtë në përgjithësi”.

Për një kapërcim më të lehtë të gjendjes virale, mjeku Lama rekomandon ushqime të freskëta, dietë të pasur ushqimore dhe fruta e zarzavate të stinës si dhe suplemente vitaminash./ATSH

Fluks infeksionesh respiratore, mbi 200 fëmijë në ditë

EMISIONET