Florian Binaj: Një kafe tenderi na kushton më shumë se diamantet. Paguajmë 50 euro në ditë për një të burgosur, një familje në nevojë merr vetëm 30 euro në muaj

Anëtari i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, dhe njëkohësisht aktori i humorit, Florian Binaj, në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora News” ka folur këtë të mërkurë mbi situatën politike në vendin tonë që ka kulmuar me tensione dhe dhunë në Kuvend.

“Drejtësia në vend, SPAK-u, ka filluar të tregojë dhëmbët dhe ato që shikojmë në Parlament, apo jashtë tij, janë reflektim i gjendjes që po shkakton kjo drejtësi, ku në një pjesë të madhe të njerëzve po thonë që më në fund po merr peshë. Pastaj për secilin personazh flasin vetë punët dhe koha që ata kanë qenë në politikë dhe atë çfarë kanë bërë.

Gjithsesi duhet t’ia lëmë drejtësisë të bëjë punën e saj. Pasi ne e kemi ves që japim përfundimin direkt, duke u bërë si ata që japin përfundimin e një ndeshjeje që akoma nuk ka nisur të luhet. Koha është gjyqtari më i mirë për të gjithë ato që ndodhin në jetë.

Mendoj se në këto 33 vite vetëm qytetari nuk ka qenë në optikën e politikës. Sot jemi në një raport të tillë, ku për dikë që vret një doktor, paguajmë më shumë lekë se sa për një student që do të bëhet doktor dhe që do të zërë vendin e atij doktori që u vra.

Pra paguhesh më shumë kur i bën dëm kësaj shoqërie se sadikush që i bën mirë shoqërisë. Sot një i burgosur paguhet më shumë se sa një kryefamiljare që është e vetme, sepse ajo paguhet 35 mijë lekë të vjetra në muaj, ndërsa një i burgosur paguhet 50 euro në ditë për ta mbajtur në burg me taksat tona.

Për të mos folur për kafen, e cila në Shqipëri paguhet më shtrenjtë se diamantet, pasi nëse do të bësh një tender 100 milionë eurosh, do t’i japësh një kafe atij ku do të mbahet 30 për qindëshi, pra një kafe në Shqipëri kushton 20-30 milionë euro, 5 milionë euro, që janë më shumë se një diamant.

Dhe këtu pastaj ka bërë që çdo gjë që të mos funksionojë, ku të rinjtë të ikin, të gjithë familjet në nevojë të vuajnë për bukë. Pra kemi një Shqipëri të pasur, por të vjedhur”, u shpreh Binaj.

lili saraçi florian binaj

EMISIONET