FBI heton sulmin ndaj AKSHI-t, Balluku: Autoritetet amerikane dhanë ndihmë për investigimin
Shqipëria ka kërkuar ndihmën e FBI për hetimin e sulmit kibernetik që nxori jashtë funksionit platformën e-Albania. Në një konferencë për media pa gazetarë, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe drejtoresha e AKSHI-t pranuan se dy javë pas goditjes kibernetike, një pjesë e shërbimeve që ofroheshin më parë ende nuk janë funksionale pasi nuk janë rikuperuar.
Byroja Kombëtare e Hetimit në SHBA, është përfshirë në hetimin e sulmit kibernetik që nxori jashtë funksionit për një javë platformën qeveritare e-Albania.
"Duhet përmendur këtu dhe fakti i përfshirjes së FBI duke na dhënë mbështetje nga dita e parë apo edhe shërbimeve të tjera inteligjente".
Në një konferencë shtypi pa gazetarë, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe drejtoresha e AKSHI-t Linda Karçanaj thanë se edhe pse kanë kaluar 14 ditë nga goditja, sërish disa shërbime janë jashtë funksionit pasi po punohet për ti rikuperuar.
"Mund të them që mbi 98% të shërbimeve online janë tashmë funksionale. Vetëm 4 ditë pas sulmit, në një kohë rekord kjo krahasuar me vendet e tjera, e-Albania u kthye në funksion për 1118 nga 1225 shërbime elektronike. Të vetmet shërbime me të cilat ende po punohet janë njehsimi i diplomave dhe certifikatat e lëshuara nga institucionet e huaja, vërtetimi i ndihmës ekonomike, i pagesës së aftësisë të kufizuar, i kërkesës për të përfituar nga programet e strehimit social, lista e notave dhe vërtetimi i diplomës për studentët që kanë ndjekur Universitetin e Tiranës, kryerja e pagesave të ujit dhe energjisë elektrike dhe shërbimet që lidhen me to".
Balluku theksoi se sulmi i ndodhur ndaj databazës shtetërore po përdoret si një mësim për të shmangur incidente të tilla në të ardhmen.
Sulmi kibernetik ndaj e-Albania po hetohet edhe nga prokuroria e Tiranës për të paktën katër vepra penale që kanë të bëjnë me cënimin e sigurisë kompjuterike.

