Fati i njëjtë i çiftit Gjoka/ Gruaja në Hipotekë u hetua dhe u fal për korrupsion, burri ish-prokuror në hetim për fshehje pasurie në Durrës
Teksa Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka kallëzuar për fshehje pasurie ish-prokurorin Nezir Gjoka dhe për këtë çështje prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet, një histori të ngjashme korrupsioni në Durrës, ka pasur dhe bashkëshortja e Nezirit, shtetësja Dhurata Gjoka.
Gruaja e ish-kryeprokurorit të Apelit Tiranë, e cila aktualisht punon pranë bashkisë së Durrësit, ka mundur t’ia hedhë paq, në periudhën kur punonte si sporteliste pranë Zyrës së Hipotekës në Durrës.
Nga të dhënat e siguruara, Ora News mëson se Dhurata Gjoka në muajin nëntor të vitin 2005 është përfshirë në një aferë korruptive, së bashku me dy punonjës të tjerë të hipotekës së Durrësit.
Por ndryshe nga dy kolegët e saj që u proceduan dhe dënuan nga gjykata për akuzën e korrupsionit, hetimet ndaj Dhurata Gjokës, gruas së prokurorit Nezir Gjoka, u stopuan, duke ndryshuar statusin e saj.
Nga person ndaj të cilës zhvilloheshin hetime, statusi ligjor i saj u kthye në status dëshmitare e prokurorisë kundër dy kolegëve të saj të hipotekës Stela Zeqja dhe Bashkim Seferi.
Në dosjen penale të siguruar nga Ora News jepet një tablo e qartë e rolit korruptiv të Dhurata Gjokës, e cila i ka marrë rryshfet shtetasit me iniciale N.M.
Ky person ka bërë dy aplikime tek Dhurata Gjoka, e cila më pas e ka udhëzuar pikërisht tek punonjësi tjetër Bashkim Seferi për të ndjekur procedurat dhe mbaruar punë.
Aplikimi është bërë në 20 qershor 2005, pasi qytetari kishte probleme me sipërfaqen e tokës bujqësore të babait të tij.
Pas bërjes së aplikimit dhe pritjes prej disa muajsh që të merte përgjigje, qytetari nuk ka mundur të mbarojë punë, megjithëse ai kishte dhënë dhe rryshfet për të rregulluar dokumentat.
Sipas këtij dëshmitari, lekët ja kishte dhënë sportelistet Dhurata Gjoka, por puna për rregullimin e letrave të tokës nuk kishte ecur.
Pas disa kohësh ai ka shkuar në sportelin ku shërbente Dhurata Gjoka, duke i kërkuar kësaj të fundit sqarime.
Por gruaja e prokurorit Nezir Gjoka e ka këshilluar të bënte një aplikim të dytë, me qëllim ndarjen e pasurisë.
Aplikikmi i dytë është bërë në datën 17 tetor 2005 dhe në këtë ditë Dhura Gjoka e ka prezantuar me punonjën tjetër të Hipotekës, Bashkim Seferi.
Ky i fundit, i ka marrë përsipër se do t’ia nxirrte shpejt çertifikatën e pasurisë, por më parë qytetari duhet të bënte një plan rilevimi të tokës dhe të paguante para.
Kallëzuesi ka treguar se megjithë pagesat që i ka bërë punonjësve të Hipotekës, sërisht ata edhe pas aplikimit të dytë, nuk kanë mundur të mbarojnë punë.
Në vitin 2005 Dhurata Gjoka, mundi ti shpëtojë “skanerit” të prokurorisë, por pas 17 vjetësh në prokurorinë e Durrësit në një çështje penale të hapur ndodhet bashkëshorti i saj, Nezir Gjoka.
Ky i fundit është duke u hetuar për “Fshehje pasurie”, pasi gjatë periudhës kur ka shërbyer si prokuror Apeli në Tiranë ka indicie të forta se ka krijuar pasuri me para korrupsioni dhe ka fshehur ato.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

