Fadromat mbërrijnë në Shëngjin, nis nga Rana e Hedhun shembja e ndërtimeve pa leje në Lezhë

10 objekte të cilësuara të paligjshme do të shemben në bregdetin e Shëngjinit  në kuadër të operacionit kombëtar kundër ndërtimeve pa leje. Në ditën e parë nuk pati përplasje, por pronarët akuzuan për selektivitet. Pushuesit nga ana tjetër thonë se instucionet duhet të kishin zgjedhur një kohë tjetër për ndërhyrjen.

Pas Velipojës, operacioni "Bregdeti ynë" ka nisur në zonen turistike të Shëngjin. Prej pasdites të së hënës Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe Policia e Shtetit kanë zbarkuar në terren.

Fadromat e IKMT mbërritën në Shëngjin për të shembur ndërtimet pa leje në kuadër të operacionit kombëtar “Bregdeti ynë”.

Ndërhyrja nisi nga zona e Ranës së Hedhun e do të vijojë përgjatë vijës bregdetare të Lezhës ku janë planifikuar të shemben 10 objekte të paligjshme.

Deri tani nuk ka patur përplasje, por pronarët e objekteve ankohen se nuk janë njoftuar në kohë sipas ligjit për shembjet.

Akuza kishin edhe për selektivitet.

"Disponoj të gjithë letrat dhe dokumentacionet për këtë biznes dhe nuk arrij të kuptoj motivin i cili mund të jetë informimi dhe njoftimi për shembjen e këtij objekti mund të ndodhë vetëm 5 orë përpara."

Prej datës 1 qershor në Shëngjin ka nisur zyrtarisht sezoni turistik.

Pushuesit thonë se nuk është aspak normale, që një ndërhyrje e tillë të realizohet në këtë periudhe.

"Na pengon shumë, duhet të punohet në orë të vona ose më herët duhet të punohej."

"Më mirë ka qenë me i parandalu ndërtimet pa leje."

Shembja e ndërtimeve pa leje nisi nga Velipoja me 15 objekte dhe Ksamili në Sarandë ku do të rrënohen 30 objekte të jashtëligjshme në bregdet.

EMISIONET