Evazion fiskal tek kompanitë e Alban Dabullës, gazetari zbulon lidhjen e biznesmenit me Erion Veliajn
Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për ‘Telebingon Shqiptare’, pasi është zbuluar se kjo kompani ka kryer evazion fiskal. Prokuroria ka bërë kërkesë në Gjykatën e Tiranës për masën e sigurisë ndaj biznesmenit Alban Dabulla dhe 19 bashkëpunëtorët e tij të përfshirë në këtë çështje.
Ndërkohë gazetari Elton Qyno në një intervistë për Ora News, teksa ka dhënë detaje në lidhje me evazionin fiskal ka bërë me dije se prokurorit të çështjes i është bërë kërcënim të tërhiqet pasi do të ketë probleme gjatë gjithë karrierës së tij.
Elton Qyno: Jo më larg se 4-5 ditësh i është bërë një kërcënim edhe mediatik, prokurorit të çështjes, por edhe kërcënim verbal që i është çuar këtij prokurori me qëllimin e vetëm që ky prokuror duhet të tërhiqet nga çështja dhe të mos e vazhdonte më këtë çështje pasi do të kishte probleme jo vëtëm në karrierën e tij por gjatë gjithë punës që ai do të ushtronte.
Qyno thotë se presioni është bërë nga persona të përfshirë në krimin e organizuar, si dhe nga perosna që kanë lidhje me politikën në Shqipëri. Ai thotë se për këtë pritet që Gjykata të pranojë ose jo kërkesën e Prokurorisë.
Elton Qyno: Presioni është bërë nga persona të përshirë në krimin e organizuar, të lidhur me politikën në Shqipëri. Këto presione vijnë në interes dhe në dobi të personave që ai kishte vënë në hetim në dosjen që tashmë është dërguar në Gjykatë dhe pritet nga moment në moment që të merret një masë sigurie ose të mos pranohet masa e sigurisë.
Po ashtu Qyno thotë se pronari i “Telebingos Shqiptare”, Alban Dabulla, njihet si një person shumë pranë kryebashkiakut Erion Veliaj.
Elton Qyno: Biznesmeni Dabulla njihet si një biznesmen shumë pranë kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe është një njeri që jo vetëm influencon në marrjen e lejes së ndërtimeve por është edhe vetë një individ që ndërton në Tiranë por edhe në vende të ndryshme. Kjo lidhje dhe ky afrimitet me pushtetit lokal dhe vetë biznesmenit ka krijuar një lloj presioni ndaj prokurorëve të çështjes por edhe hetuesve të tjerë që kanë marrë pjesë në këtë dosje hetimore.

