Erozioni kërcënon Nënshkodrën, rrezikohen 140 shtëpi dhe dhjetëra hektarë toka në Dajç
Pas përmbytjeve, erozioni kërcënon zonën e Nënshkodrës. Uji po merr vit pas viti toka, duke kërcënuar zonat e banuara.
Gjurmët e dimrit po zbulohen në zonën e Nënshkodrës.
Megjithëse rreshjet ishin më të pakta, ujërat e lumit Buna po zgjerohen si pasojë e gërryerjeve.
Erozioni e ka dëmtuar rëndë argjinaturën e fshatit Darragjat në njësinë administrative të Dajçit.
140 shtëpi dhe 5 ferma, ndër më të mëdhat në Nënshkodër, janë të rrezikuara.
Administratori i Dajçit, Gjovalin Darragjati, thekson nevojën e ndërhyrjeve urgjente.
"Është një kërkesë e vazhdueshme që unë kam bërë për rehabilitimin e argjinaturës së Daragjatit, e cila është ndërtuar në 2010 në mënyrë emergjente".
Specialisti i Bordit të Kullimit në Lezhë, Vate Haxhia, i cili kreu inspektimin e argjinaturës, pranon nevojën e një ndërhyrje emergjente.
"Gjendja është vërtet kritike, do të bëjmë çmos për një ndërhyrje emergjente sepse po i afrohet argjinaturës gërryerja. Rrezikon shtëpitë, pikë e rrezikshme shumë."
Pas përmbytjeve të vitit 2010, argjinatura u ndërtua në mënyrë provizore me materiale zhavori dhe përgjatë këtyre viteve janë kryer edhe plot 6 ndërhyrje të tjera në 2.2 kilometrat e saj.
Fondi i shpenzuar i tejkalon shifrat e ndërtimit të një argjinature të re, prandaj kërkohet një investim serioz që dimri i ardhshëm të mos rrezikojë përmbytjen e Nënshkodrës.



