EMRI/ Atentat në Tiranë, biznesmeni qëllohet me plumb në kokë pranë banesës së tij te "Rruga e Elbasanit"
Identifikohet personi që mbeti i plagosur nga atentati me armë zjarri në “Rrugën e Elbasanit”. Ngjarja ndodhi rreth orës 23.30 të kësaj të mërkure.
Mësohet se i plagosur ka mbetur biznesmeni Eduart Reçi, 52 vjeç, me origjinë nga Dibra.
Ai është qëlluar me një plumb në kokë pranë një lokali, në afërsi të banesës së tij.
Viktima, e identifikuar si Eduart Reci, një biznesmen 52 vjeç dhe pronar i kompanisë ELGM, u dërgua menjëherë në Spitalin e Traumës me një plagë serioze në kokë. Gjendja e tij raportohet të jetë kritike.
Eduart Reci është i njohur në zonë për aktivitetin e tij në ndërtim, duke qenë që ka ndërtuar disa pallate aty pranë.
Megjithëse motivet e sulmit mbeten të paqarta, dyshohet se atentatori mund ta ketë qëlluar nga një distancë e largët, pasi në pamjet e kamerave të sigurisë nuk shfaqen autorët, gjë që ngre dyshime mbi mënyrën e kryerjes së sulmit.
Policia po heton për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë, duke shqyrtuar prova të mundshme dhe duke analizuar të dhënat e kamerave të sigurisë.
NJOFTIMI I POLICISË
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 13.11.2024, rreth orës 23:00, në rrugën "Faik Konica" është plagosur me armë zjarri shtetasi E. R., 52 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar.
Informacion më të detajuar mbi këtë ngjarje do të japim në vijim.