EMRAT/ Prishën qetësinë publike me zhurmën e motomjeteve që drejtonin gjatë natës, arrestohen dy të rinjtë

Arrestohen dy të rinj në qytetin e Durrësit, konkretisht ahtetasit Kejdi Previzi, 21 vjeç, banues në Tiranë dhe Lorenc Basha, 24 vjeç, banues në Durrës, pasi shqetësonin banorët në sheshin “Taulantia” dhe në zonën përreth me zhurmat e marmitave të motomjeteve që drejtonin pa leje.
NJOFTIMI:
Prishën qetësinë publike, gjatë natës, me zhurmat e marmitave të motomjeteve që drejtonin pa leje, në sheshin “Taulantia”, arrestohen 2 shtetas.
Sekuestrohen 2 motomjetet tip “Yamaha”.
Gjatë patrullimeve 24-orëshe, me objektiv garantimin e sigurisë publike dhe parandalimin e paligjshmërive, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Durrës konstatuan gjatë natës, se 2 të rinj po shqetësonin banorët dhe qytetarët në sheshin “Taulantia” dhe në zonën përreth, nëpërmjet gjenerimit të zhurmave nga sistemet e shkarkimit të 2 motomjeteve që drejtonin.
Për këtë paligjshmëri, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, u krye arrestimi në flagrancë i shtetasve K. P., 21 vjeç, banues në Tiranë dhe L. B., 24 vjeç, banues në Durrës.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ata nuk ishin të pajisur me leje për drejtim të motomjeteve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

