EMRAT/ Pengmarrja e kosovarit për 70 mijë euroshin e drogës, Gjykata cakton masat për tre vlonjatët

Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë, ka caktuar masat e sigurisë për tre autorët e pengmarrjes së shtetasit kosovar, Fisnik Xhaka pak ditë më parë në Vlorë.
Gjykata ka vendosur arrest shtëpie për Vilson Agajn, dhe arrest me burg për shtetasit Orest Çorapaj dhe Julian Zogaj.
Tre shtetasit e mësipërm akuzohen se kanë mbajtur Fisnik Xhakën për rreth dy javë në një banesë pranë zonës së quajtur “Rruga e re” ne Vlorë duke i kërkuar 70 mije euro të dyshuara nga pazare droge.
Dinamika e pengmarrjes dhe pazaret e drogës
Burime për mediat bënë me dije se tre personat nga zonat rurale të Vlorës (fshatrat e Lumit të Vlorës, Bashaj) janë njohur me Xhakën në një vend të Bashkimit Europian, në Suedi. Gjatë kësaj njohjeje, ata kanë kryer marrëveshje të paligjshme për trafik droge. Kosovari i ka lidhur ata me një person tjetër jashtë vendit, dhe vlonjatët kanë dërguar drogën në një vend të BE-së (vend i pacaktuar, pasi të arrestuarit nuk kanë treguar, madje as telefonat e sekuestruar nuk u gjet ky informacion).
Pas kësaj, personi që mori drogën jashtë vendit nuk u ka kthyer paratë vlonjatëve. Për këtë arsye, këta të fundit kanë marrë peng Kosovarin, duke e mbajtur për rreth dy javë, madje kanë ushtruar dhunë me shpresën për të marrë pagesën për mallin.
Motra e shtetasit nga Kosova, që jeton në Suedi dhe kishte dijeni për ngjarjen, kontaktoi Interpolin. Interpoli njoftoi Policinë e Vlorës, e cila, duke përdorur lokacionin e dërguar nga motra, arriti të arrestojë tre personat brenda 15 minutash. Kosovarit, i cili kishte plagë të lehta, iu dha ndihma e parë dhe u lirua. Ndërkohë, autorët nuk kanë pranuar të zbulojnë vendin e saktë ku ishte dërguar droga, në çfarë vendi të BE-së.


